Është shënuar dita e fundit e Panairit të librit për fëmijë në Prishtinë, organizim ky i cili pritet të bëhet tradicional. Për katër ditë me radhë fëmijët në qendër të kryeqytetit kanë mundur të informohen për libra të ndryshëm si dhe të blejnë me çmime më të ulëta.
Panairi është organizuar nga “Etea” dhe Libraria Dukagjini, me mbështetje të Komunës së Prishtinës.
Përveç shitjes së librave, aty janë ofruar edhe aktivitete të ndryshme për fëmijë ndërsa për fëmijët që kanë blerë libra, ka pasur edhe shpërblime.
Aulon Kaqiu nga organizata ”Etea” tha se qëllimi i këtij panairi është që fëmijët të shohin libra të ndryshëm si dhe të shtohet interesimi për leximin e tyre.
Kaqiu: Qëllimi i panairit është që të nxisë fëmijët të lexojnë libra
“Kemi të kënaqur shumë sot është dita e fundit. Qëllimi është me i nxit fëmijët me libra dhe për të bërë aktivitete për fëmijë. Libra ka mjaftueshëm vetëm a i blenë dikush, këtu bëhen joga çdo ditë, joga për fëmijë dhe argëtim për fëmijët, sot përfundon (panairi)” tha Kaqiu.
Ndërsa Alda Muhaxheri nga “Libraria Dukagjini” tha se interesimi i fëmijëve për libra është shumë i madh, derisa shtoi se librat po shitën me çmime më të ulëta.
Muhaxheri: Ka libra mjaftueshëm për fëmijët
“Panairi ka katër ditë që ka filluar, edhe interesimi është shumë i madh sidomos prej fëmijëve, ka pasur që kur kanë ardhur me shkollën, ka pasur edhe me prindërit se nuk i kanë pasur pagesat e mjaftueshme. Me i nxitë ata që të lexojnë së më shumë dhe duke i ofruar zbritje të kohë pas kohshme kështu në panaire ose diçka tjetër. Ka pas aktivitete të shumta, të gjitha janë mundësuar nga organizata ‘Etea’, nga ne janë organizuar disa evente tjera. Prej fëmijëve ka tepër interesim në çdo libër, më së shumti ka interesim për librat me ngjyrosje, çmimet janë nga më të ndryshmet, jemi munduar të mos kemi çmime të larta, fillojnë disa nga 1 euro më zbritje bëhen edhe më lirë”, tha ajo.
Esmera Mera e cila kishte dalë të blejë libra për mbesën e saj tregoi se panairet për fëmijë duhet të zhvillohen derisa shtoi se fëmijët duhet të edukohen duke lexuar libra.
Mera: Fëmijët edukohen duke lexuar libra
“Ishin lojërat në edukatën fizike dhe tani ia mora një libër, mbesa është 4-vjecare. Nëse ne duam të edukojmë nipat dhe mbesat duhet të këtë panaire të shpeshta, është në të mirën e shtetit, kur i kemi fëmijët e edukuar edhe shteti është i edukuar”, tha ajo.
Edhe prindi Sabedin Hasani u shpreh se përpos panaireve për fëmijët duhet të zhvillohen edhe shumë aktivitet të tjera.
Hasani: Për fëmijët duhet të zhvillohen shumë aktivitete
“Panairi është nxitje për fëmijët dhe është argëtim dhe sado pak një pjesë e prindërve i orienton që fëmijët të blejnë libra në vend të telefonave për të kaluar kohën, panairi është shumë i mirëseardhur edhe duhet të ketë më shpesh dhe jo vetëm kësi lloj panair por gjithçka që ka të bëjë me fëmijët”, tha ai.
Ndërsa nxënësi Endi Nikolla tha se po kërkon librin e tij të preferuar për ta blerë në panair.
Nikolla: Po kërkoj për të blerë një libër në panair
“Jam Endi Nikolla, në klasën e tretë në shkollën ‘Don Bosko’ edhe jam duke kërkuar një libër qe e ka emrin Ditari i Grekut”, tha ai.
E Nori, nxënës në klasën e katërt, tregoi se panairi po i pëlqen shumë.
Nori: Sot kam blerë një libër në panair
“Emrin e kam Nori, i kam tetë vjet, jam në klasën e katër në shkollën ‘American school of Kosova’, e kam marrë librin ‘Ditari i Tregut’ edhe i kam krejt librat, edhe shumë e dua”, tha ai.
Ndërsa nxënësi Gent Hajdari tha se panairi ka mjaftueshëm libra.
Hajdari: Ka libra mjaftueshëm
“Po, ka shumë libra, jam në klasën e katërt”, tha ai.