Komuna e Prishtinës ka nisur sot punimet në rrugën “Xhorxh Bush”, si pjesë e projektit për zgjerimin e sheshit të kryeqytetit. Ky projekt synon krijimin e më shumë hapësirave për këmbësorë dhe përmirësimin e infrastrukturës urbane.
Komuna e Prishtinës ka nisur sot punimet në rrugën “Xhorxh Bush”, si pjesë e projektit për zgjerimin e sheshit të kryeqytetit. Ky projekt synon krijimin e më shumë hapësirave për këmbësorë dhe përmirësimin e infrastrukturës urbane.
I pari i Prishtinës ka deklaruar se ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt transformimit të qendrës së qytetit, duke shtuar se do të realizohet në tri faza.
Rama theksoi se vlera e këtij projekti është 18.1 milionë euro dhe numri i ditëve të punës parashihet të jetë 240 ditë.
Rama: Po fillojmë punimet e transformimit të kryeqytetit
“Po fillojmë punimet e transformimit të kryeqytetit, të zonës qendrore. Punimet do të bëhen në faza. Faza e parë do të jetë kjo pjesa e sheshit ‘Xhorxh Bush’, e pastaj kjo do të hapet dhe do të fillojë faza e dytë me ‘Zahir Pajazitin’ dhe me zonën e Bibliotekës, e në fund edhe zonën e Garibaldit. Arsyeja pse po veprojmë në faza është që të mos bllokojmë zonat dhe mundësitë për njerëzit që punojnë dhe për fëmijët që duhet të shkojnë në shkolla. Prandaj ky projekt do të jetë në tri faza. Numri i ditëve të punës parashihet të jetë 240 ditë pune në total. Projekti ka vlerën 18.1 milionë euro”, tha ai.
Ndërsa, i pyetur nga KosovaPress për vonesën e fillimit të punimeve deri në këtë vit, Rama tha se tani është momenti që duhet të priten edhe temperaturat, pasi që punimet nuk mund të zhvillohen nën zero gradë Celsius.
Rama: Tash është koha e përshtatshme për punime
“Tash është koha ku ne duhet të presim edhe temperaturat, nuk mund të punohet në temperatura nën zero gradë Celsius, dhe tani është faktikisht koha e mirë për të filluar punën, prandaj jemi në kohë,” tha Rama.
Zgjerimi i sheshit në rrugën “Xhorxh Bush” pritet të sjellë një transformim të rëndësishëm në qendrën e Prishtinës, duke krijuar më shumë hapësira për qytetarët, edhe pse ky projekt është kritikuar nga disa qytetarë për shkak të mbylljes së rrugës.