Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka takuar të martën zv.ministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ku kanë diskutuar për problemet në transportin publik.
Rama thotë se në takim janë dakorduar për të krijuar një grup të përbashkët punues.
“Sot prita në takim zv.ministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi, me të cilin diskutuam për zgjidhjen e problemeve te trashëguara në sektorin e transportit publik. Gjatë këtij takimi, u dakorduam për të krijuar një grup të përbashkët punues, me qëllim ristrukturimin dhe optimizimin e sistemit të transportit publik. Ky grup punues është i përbërë nga përfaqësues të MMPHI, komunës së Prishtinës, komunës së Podujevës dhe përfaqësues të shoqatës së transportit, puna e përbashkët e të cilëve ka filluar menjëherë sot”, ka shkruar Rama.
Tutje, ai ka pohuar se “ky angazhim i përbashkët do të hapë rrugën për një transformim të vërtetë, duke siguruar që transporti publik të jetë një motor i zhvillimit urban dhe një aktor kyç në përmisimin e trafikut dhe shkarkimin e komunikacionit në qendër të Kryeqytetit”.