Rama fton Çekun në debat publik për `bllokimin e projekteve` në Prishtinë

Prishtina

Rama fton Çekun në debat publik për `bllokimin e projekteve` në Prishtinë

Më: 16 prill 2025 Në ora: 20:16
Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ftuar ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, në një debat publik për siç ka thënë ai bllokimin e projekteve transformuese në kryeqytet, duke e akuzuar atë për mashtrim dhe propagandë.

Në një postim në Facebook, kryetari Rama e ka akuzuar ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku, për siç ka thënë ai, përdorimin e "rrugës së mashtrimit dhe propagandës" për të justifikuar bllokimin e projekteve të rëndësishme.

"Sot, Ministri i Kulturës ka zgjedhur sërish rrugën e mashtrimit dhe propagandës, duke vazhduar me të pavërtetat e radhës për të justifikuar bllokimin e kundërligjshëm dhe sistematik të çdo projekti transformues në Kryeqytet", ka shkruar ai.

Rama ka ftuar publikisht ministrin Çeku, së bashku me ekspertët e tij, në një debat të hapur publik për të diskutuar mbi këto çështje.

Ndërkohë, Ministri në dorëheqje i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka ka thënë se ministria dyshon dhe është e bindur që ka parregullsi të theksuar në lidhjen e kontratave nga Komuna e Prishtinës. 

Çeku, përmendi punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, rrugën “Rexhep Luci”, “Ishullin Urban” dhe projektin në rrugën “Agim Ramadani”. 

“Të gjitha këto kontrata janë të lidhura kundërligjshëm, duke mos i respektuar procedurat e nevojshme për pajisje me leje dhe pëlqime të nevojshme. Të gjitha këto investime realizohen brenda zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore dhe ligji kërkon që para se të shpallen procedurat e të lidhen kontratat, duhet të pajisen me pëlqime përkatëse nga autoritetet përkatëse”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat