Ministri në doreheqje i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka reaguar ndaj ftesës së Kryetarit të Prishtinës për një debat publik, duke thënë se do të ishte shumë i vullnetshëm për një përballje, por vetëm në gjykatë.
Çeku ka theksuar se çdo përballje publike me një "gënjeshtar të paskrupullt" është e pakuptimtë, ndërsa ka shtuar se provat për keqpërdorim të buxhetit të shtetit janë dorëzuar në Prokurori dhe Polici.
Sipas tij, ka dyshime të bazuara për keqpërdorim të fondeve të shtetit në vlerë disa milionëshe dhe se veprimet e Kryetarit të Prishtinës janë bërë me paramendim dhe qëllim. Çeku ka akuzuar atë për sulme publike të kamufluara si "bllokim nga qeveria", të cilat sipas tij janë vetëm një mjegullnajë për veprime kriminale.
"Debat po, por vetëm në gjykatë, aty ku flitet me fakte dhe prova," ka thënë Çeku, duke shtuar shpresën se institucionet e drejtësisë do të reagojnë shpejt.
"Çdo ditë që ky mashtrues e kalon në krye të komunës është rrezik i madh për buxhetin e shtetit dhe për vet kryeqytetin", ka shkruar Çeku.