Dita e Evropës - hapet ekspozita “Evropa në Miniaturë” në Prishtinë

Prishtina

Dita e Evropës - hapet ekspozita “Evropa në Miniaturë” në Prishtinë

Më: 9 maj 2025 Në ora: 16:24
Foto ilustrim

Në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Evropës, sot në Europa House në Prishtinë u hap ekspozita “Evropa në miniaturë”. Kjo ngjarje solli nga trashëgimia kulturore, historike dhe arkitektonike të vendeve anëtare të BE-së përmes punimeve kreative të realizuara nga fëmijë të qendrave edukative Bonevet.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovës, ambasadori Aivo Orav tha se kremtimi i Ditës së Evropës është një moment i rëndësishëm reflektimi jo vetëm për BE-në, por për të gjithë kontinentin.

Orav: Festimi i Ditës të Evropës i rëndësishëm për të gjithë kontinentin

“Festimi i Ditës të Evropës është i rëndësishëm jo vetëm për BE, por besoj që edhe për të gjithë kontinentin. Në këtë ditë, zakonisht nuk jemi duke punuar, dhe kjo na jep kohë për të menduar për të kaluarën dhe për të ëndërruar për të ardhmen. Nëse mendojmë për të kaluarën apo ëndërrojmë për të ardhmen, dhe nëse mendojmë për të kaluarën, atëherë Bashkimi Evropian ka qenë projekti më i suksesshëm i paqes në botë”, tha ambasadori Orav.

Ai theksoi se mbi 90% e qytetarëve të Kosovës duan anëtarësim në BE, dhe kjo duhet të jetë një mesazh për politikanët që të formojnë qeverinë sa më shpejt për të vepruar si një partner i familjes së madhe evropiane.

Orav: Politikanët në Kosovë të lëvizin pak më shpejt për të formuar qeverinë

“Për Kosovën, më shumë se 90% e njerëzve në Kosovë duan të bëhen pjesë e BE-së. Mendoj se ky është një numër shumë i rëndësishëm ose i madh. Është një mesazh i rëndësishëm për politikanët në Kosovë që të lëvizin pak më shpejt për të formuar qeverinë, sepse na duhet partneri këtu. Pastaj kjo gjithashtu i vendos shumë përgjegjësi për neve në Bashkimin Evropian”, tha ambasadori Orav.

Drejtoresha menaxhuese në Bonevet Prishtina, Flatra Thaçi, deklaroi se sot kanë ardhur me fëmijë nga Prishtina, Kaçaniku dhe Peja për të prezantuar disa monumente të cilat ata i kanë përgatitur.

Thaçi: Prezantuam disa punime që i kemi realizuar për Ditën e Evropës

“Sot kemi ardhur Bonvet Prishtina, Bonevet Kaçanik edhe Bonevet Peja në shtëpinë e Europe House për të prezantuar disa punime që i kemi realizuar me rreth 30 fëmijë në qendrat tona për nder të Ditës së Evropës, për të prezantuar disa monumente, të cilat i njohim të gjithë”, tha ajo.

Viti 2025 shënon 75-vjetorin e Deklaratës së Schuman, e cila hodhi themelet për Bashkimin Evropian dhe hapi rrugën për një epokë të paprecedentë prosperiteti, paqeje, demokracie, solidariteti dhe bashkëpunimi në Evropë.

Për të shënuar këtë rast, shumë ngjarje do të zhvillohen në vendet anëtare të BE-së dhe në mbarë botën, duke bashkuar qytetarë nga të gjitha sferat e jetës. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat