Zhbllokohen hyrjet e Prishtinës, përfundon protesta e bizneseve kundër vendimit të ZRRE-së

Prishtina

Zhbllokohen hyrjet e Prishtinës, përfundon protesta e bizneseve kundër vendimit të ZRRE-së

Më: 29 maj 2025 Në ora: 06:49 Përditësuar në ora: 12:16 më 29.05.2025
Foto nga vendi i ngjarjes

Zhbllokohen hyrjet e Prishtinës, përfundon protesta e bizneseve kundër vendimit të ZRRE-së

Ka përfunduar protesta e bizneseve që bllokuan hyrjet e Prishtinës në shenjë proteste për liberalizimin e tregut të energjisë.

Mëngjesin e së enjtes, ata filluan t’i bllokojnë hyrjet në Prishtinë në Veternik, te rrethi i flamurit, te qendra Dukagjini në rrugën drejt Fushë-Kosovës, në rrugën drejt Mitrovicës, si dhe në rrugën nga Podujeva, në lagjen e Vranjevcit.

 Bllokimi zgjati ashtu siç u paralajmërua, nga ora 10:00 deri në orën 12:00.

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë do të hyjë në fuqi më 1 qershor. Vendimi nënkupton se të gjitha bizneset e mëdha nuk do të furnizohen më me energji përmes tarifave të rregulluara, por duhet të gjejnë vetë furnizuesin e tyre në tregun e lirë. Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, ato kalojnë automatikisht në treg të hapur me çmime të parregulluara.

Njësia Speciale ndërhyn në Veternik pas bllokimit të rrugës nga protestuesit kundër vendimit të ZRRE-së

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës kanë mbërritur në hyrje të Prishtinës nga Veterniku, ku është bllokuar rruga nga protestues të shumtë, përfshirë përfaqësues të bizneseve dhe qytetarë, raporton Ekonomia online.

Protesta, e paralajmëruar më herët, ka nisur sot në orën 10:00 si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili obligon ndërmarrjet të dalin në tregun e lirë të energjisë.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë një prani të konsiderueshme të automjeteve të rënda si kamionë, të parkuar në mënyrë strategjike për të ndalur qarkullimin, si dhe forca policore të angazhuara për menaxhimin e situatës.

Përfaqësues të bizneseve janë shprehur të indinjuar me vendimin e ZRRE-së, duke theksuar se dalja në tregun e lirë do të rrisë ndjeshëm kostot e operimit dhe do të rrezikojë funksionimin e shumë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Policia e Kosovës po monitoron nga afër situatën për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, ndërsa nuk raportohet për përplasje deri në këtë moment.

Bllokohet rruga edhe te kazerma “Adem Jashari”

Te Kazerma “Adem Jashari” është mbledhur numër i madh i qytetarëve që kanë dalë për të protestuar kundër ZRrE-së, si shkak i mos-shtyerjes së vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë.

Kamionët kanë nisur të bllokojnë rrugën, derisa është paralajmëruar që rrugët kryesore të Prishtinës do të mbyllen nga ora 10:00 deri në ora 12:00. 

Rafuna i bashkohet protestës së bizneseve: Është faza e tranzicionit

Kryetari i Odës Ekonomikë të Kosovës, Lulzim Rafuna i është bashkuar protestës së bizneseve, ku po kundërshtojnë vendim e ZRrE-së për liberalizimin e tregut të energjisë, vendim ky që hyn në fuqi pas tri ditësh.

Rafuna tha se tani është faza e tranzicionit.

“Është faza e tranzicionit ku 60 ditë e ka për obligim KEK-u, dhe KEK-u prapë me çmim të tregut, dhe jo me çmim të rregullum”, tha ai para mediave.

Nis bllokimi i rrugës edhe në Vranjevc të Prishtinës

Ka nisur bllokimi i rrugës edhe në Vranjevc të Prishtinës.

Kjo vjen pas paralajmërimit të bizneseve të Kosovës për protestën që do të mbahet sot nga ora 10:00 deri në ora 12:00, transmeton Klankosova.tv.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe numër i madh i policëve.

Protesta e bizneseve, Kurti: Koha e barrikadave ka kaluar, i kemi hequr ato kudo ku kanë qenë dhe s’do të lejojmë më të reja

Kryeministri në detyrë Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë ka folur lidhur me protesten e bizneseve, e cila është paralajmëruar se do të mbahet sot, ku do të bllokohen disa hyrje të kryeqytetit.

Kurti ka thënës e koha e barrikadave ka kaluar.

“Përderisa ne po flasim, OEK-u që do të duhej të qëndronte pranë bizneseve, për t’u përballur me realitetin e ri, sot po tenton t’i bllokojë rrugët magjistrale me një kërkesë të vetme, shtyrjen e  zbatimit të liberalizimit të tregut. Shtyrjen e vendimit po e kërkojnë me justifikimin se për një vit do të përgatiten, duke injoruar faktin që nga ana e tyre nuk kanë bërë asnjë përgatitje për 8 vjet e shkuara, përderisa është shtyrë nga viti në vit ky proces. Ajo çfarë OEK-u nuk po u tregon është se plotësimi i kërkesë së tyre nuk e zgjidh problemin, por veçse e bartë koston e energjisë së këtyre 1200 ndërmarrjeve te faturat e secilit prej jush, secilës familje dhe mbi 100 bizneseve të tjera më të vogla, që janë më pak të fuqishme. Për të mbrojtur 1 për qind të ndermarrjeve me të fuqishme në kurriz të 99 përqindëshit dhe familjeve anëmbanë Kosovës, ata po duan të bëjnë barrikada në hyrje të Prishtinës. Por koha e barrikadave në Kosovë ka kaluar. I kemi hequr ato kudo ku kanë qenë dhe jemi zotuar se nuk do të lejojmë më të reja të vendoset”, tha ai.

Shefi i qeverisë në detyrë ka thënë se shtetet e rajonit veçse e kanë kapërcyer këtë vendim, teksa sipas tij, në Kosovë është vonuar së zbatuari për më shumë se tetë vite.

Ndryshe, bizneset sot kanë paralajmëruar se do të bllokojnë të gjitha hyrjet e Prishtinës nga ora 10:00 deri në orën 12:00. Ndërkaq, në rast të mos-plotësimit të kërkesave të tyre, ata kanë paralajmëruar se do ta bllokojnë kryeqytetin tërë ditën.

 

Ka nisur protesta e bizneseve kundër ZRrE-së, kolona deri te Albi Mall

Protesta e paralajmëruar nga Oda Ekonomike e Kosovës ka nisur rreth orës 10:00.

Bizneset kanë dalë për të shprehur pakënaqësinë ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), e cila nuk ka shtyrë afatin për liberalizimin e tregut të energjisë – vendim që pritet të hyjë në fuqi pas tri ditësh.

Protestuesit po qëndrojnë në mënyrë të qetë, ndërsa me automjete të rënda po bllokojnë hyrjet kryesore në kryeqytet.

Kolona janë krijuar në disa prej rrugëve kryesore, përfshirë atë që shpie deri te Albi Mall. 

​Protesta e bizneseve, Policia del me njoftim

Policia e Kosovës ka njoftuar se do të jetë e pranishme në terren dhe “do të ndërmarrë të gjitha masat për mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për menaxhimin e trafikut dhe orientimin e mjeteve në rrugë alternative”, në kohën kur bizneset do të protestojnë në Prishtinë.

Sot, më 29 maj, në orën 10:00, do të mbahet protesta e bizneseve kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për daljen e detyrueshme të ndërmarrjeve në tregun e lirë të energjisë - një vendim që sipas komunitetit të biznesit, rrezikon stabilitetin ekonomik, prodhimin vendor dhe vendet e punës.

Protesta përfshin për dy orë bllokim të rrugëve në hyrje-dalje të Prishtinës.

“Kërkohet mirëkuptim nga qytetarët për vonesat e mundshme dhe sugjerohet shmangia e këtyre rrugëve gjatë orarit të protestës. Policia thekson se protesta është paralajmëruar në një periudhë të shkurtër dhe është zhvilluar takim koordinues me organizatorin, ku janë theksuar obligimet ligjore dhe kufizimet që ndalojnë bllokimin total të rrugëve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Pikat ku do të realizohet protesta janë Veterniku – drejtimi për në hyrje të qytetit, rrethi te Kazerma – drejtimi Fushë Kosovë – Prishtinë, rrethi i Arbërisë – drejtimi Mitrovicë – Prishtinë dhe Vranjevci - Sharbanët – drejtimi Podujevë – Prishtinë, thuhet në njoftimin e Policisë.

Komuniteti i bizneseve thotë se qëllimi i protestës nuk është kundërshtimi i daljes në tregun e lirë, por kërkesa për kohë të mjaftueshme që tregu dhe bizneset të përgatiten, në mënyrë që të shmangen pasojat negative.

Ata kërkojnë nga institucionet e vendit të mos i dëmtojnë bizneset dhe ekonominë e vendit, pasi vendimi për tregun e hapur për energjinë nga 1 qershori “është i nxituar, i pa analizuar dhe dëmton bizneset”, ndërkohë kanë paralajmëruar se nëse nuk do të ketë reflektim institucional, atëherë do të ketë protesta të radhës.

Komuniteti i biznesit dhe disa parti politike kanë kërkuar shtyrjen e kërkesës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për treg të hapur energjetik.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka paralajmëruar se do të fillojë betejën ligjore për të kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për liberalizimin e shpejtë të tregut të energjisë, pasi siç thuhet është marrë pa një analizë të mirëfilltë dhe pa asnjë konsultim me palët e interesit.

Për dy orë sot hyrjet kryesore në Prishtinë do të bllokohen

Sot për dy orë hyrjet kryesore në Prishtinë do të bllokohen nga kamionë të bizneseve të mëdha në Kosovë, të cilat po kundërshtojnë daljen në tregun e lirë energjetik.

Përfaqësues të bizneseve thanë dje se dalja në tregun e lirë do t’i dëmtojë bizneset dhe konsumatorët, andaj kërkuan që i njëjti të shtyhet.

"Nga ora 10:00 do të ketë mbyllje të rrugëve në hyrje të Prishtinës si hap për të kundërshtuar daljen në tregun e hapur. Ne nuk kundërshtojmë daljen në tregun e hapur, por kërkojmë kohë për periudhën e tranzicionit. Janë katër lokacione ku do të ketë protestë, rruga e Veternikut, rrethi nga Fushë Kosova, rrethi për Mitrovicë dhe rruga që vie nga Podujeva. I kemi dhënë rrugë dialogut", ka deklaruar Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike.

Nga Dhoma e Tregtisë thanë se dalja në treg të lirë duhet të bëhet pasi bizneset të përgatiten për këtë tranzicion.

"Ne kemi përdorur të gjitha metodat e komunikimit. Vendimi është i pa analizuar dhe shkakton dëme të bizneset dhe rritja e çmimeve. Dje kemi pasur takim edhe me qeverinë që të ndalohet ky vendim", deklaroi kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Skënder Krasniqi.

Ndërkaq, Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve tha se protestat do të vazhdojnë deri në pezullimin e vendimit.

"Nuk është dëshirë e jona që të dalin maunat, që bizneset t'i bllokojnë rrugët. Por është mesazh që do t’i dërgohet ZRRE-së që vendimi të kthehet mbrapa", ka shtuar ai.

Edhe Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët për protestën e sotme që do të bllokojë hyrjet e kryeqytetit dhe ka bërë thirrje për planifikim alternativ të lëvizjeve gjatë kohës 10:00 deri në 12:00.

“Lusim qytetarët për mirëkuptim dhe sugjerojmë planifikim alternativ të lëvizjeve gjatë kohës së protestës. Institucionet e Kryeqytetit janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse për të garantuar sigurinë publike dhe menaxhimin sa më efikas të situatës”, kanë shkruar në Facebook.

Protesta mbahet nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe bizneset, të cilat kundërshtojnë procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor.

Zonat që do të preken nga bllokimi janë: hyrja nga Veterniku dhe Gjilani, hyrja nga Fushë-Kosova dhe Mitrovica, hyrja nga Podujeva, në lagjen Vranjevc.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat