“Pastrimi” rifillon punën për grumbullimin e mbeturinave

Prishtina

“Pastrimi” rifillon punën për grumbullimin e mbeturinave

Më: 25 qershor 2025 Në ora: 11:20
Foto ilustrim

Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” njofton se ka rifilluar punën në terren për largimin e mbeturinave në të gjitha zonat që mbulon me shërbime.

Sipas njoftimit, pas një ndërprerjeje të përkohshme, për shkak të vështirësive objektive, puna ka rinisur të martën në mbrëmje me ndërrimin e tretë, duke u përqendruar fillimisht në zonat më të ndjeshme dhe më të ngarkuara me mbeturina.

“Ekipet tona janë të angazhuara me kapacitete të plota për të rikthyer pastërtinë dhe higjienën në hapësirat publike sa më shpejt që të jetë e mundur. “Pastrimi” mbetet e përkushtuar ndaj misionit të saj për të ofruar shërbime të rregullta dhe cilësore, duke u udhëhequr nga përgjegjësia publike dhe respekti ndaj qytetarëve”, thuhet në komunikatë, transmeton KosovaPress.

Kjo kompani falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin e treguar gjatë kësaj periudhe të vështirë, si dhe kërkon bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm në ruajtjen e pastërtisë së përbashkët.

Ditë më parë, pas rreth një muaji grevë, është arritur një marrëveshje mes Komunës së Prishtinës dhe Këshillit Grevist të Ndërmarrjes "Pastrimi" për ndërprerjen e grevës së punëtorëve para objektit të komunës.

Kjo marrëveshje u bë në formë të zotimit, porse nuk u nënshkrua si dokument.

Në maj të këtij viti, kompania “Pastrimi” ndaloi mbledhjen e mbeturinave, si pasojë e borxhit prej 2.7 milionë eurosh që pretendon se Komuna i detyrohet.

Si shenjë proteste, më 22 maj rreth 300 punëtorë u mblodhën para ndërtesës së komunës duke parkuar afërsisht 20 kamionë të kompanisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat