Komuna e Prishtinës s’do të lejojë nisjen e autobusëve për Podujevë nga Xhamia e Llapit

Prishtina

Komuna e Prishtinës s’do të lejojë nisjen e autobusëve për Podujevë nga Xhamia e Llapit

Më: 17 gusht 2025 Në ora: 14:24
Foto nga vendi i ngjarjes

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në respektimin e marrëveshjes së arritur për qarkullimin e autobusëve ndërurbanë, përfshirë linjat nga Podujeva, pas paralajmërimeve nga Shoqata e Transportit të Autobusëve se nga e hëna do të fillojë kthimi i autobusëve drejt Podujevës nga Xhamia e Llapit.

Në reagim, Komuna e Prishtinës thotë se veprime të tilla nuk do të lejohen dhe se do të ndërmarrë masat ligjore dhe administrative të nevojshme për të siguruar që të gjithë autobusët ndërurbanë, pa përjashtim, të ndalojnë në Stacionin zyrtar të Autobusëve në Prishtinë për marrjen dhe lëshimin e udhëtarëve, raporton KosovaPress.

Raportimet e fundit që tregojnë se disa operatorë nga Podujeva synojnë të anashkalojnë Stacionin e Autobusëve të Prishtinës dhe të ndalojnë në Xhaminë e Llapit janë shqetësuese dhe përbëjnë shkelje të qartë të rregullave komunale dhe marrëveshjes së ndërsjellë, thuhet në deklaratë.

“Ndalimet e paautorizuara brenda qendrës së qytetit paraqesin rrezik për sigurinë në trafik, rendin publik dhe planifikimin urban të transportit. Po ashtu, rikujtojmë se qendra e Prishtinës nuk mund të akomodojë transport ndërurban, për shkak të dinamikave të zhvillimit të qytetit, rritjes së fluksit të mjeteve dhe nevojës për menaxhim të qëndrueshëm të hapësirës publike.”

Komuna e Prishtinës rikujton se marrëveshja nuk ka qenë e njëanshme, por rezultat i një procesi të gjerë shumëpalësh, ku kanë qenë të përfshira Komuna e Prishtinës, ajo e Podujevës, Ministria e Planifikimit të Mjedisit dhe Hapësinor, si dhe Shoqata e Operatorëve të Transportit.

“Në këtë drejtim, theksojmë se MPMH duhet të rishikojë dhe revokojë të gjitha licencat e operatorëve që nuk respektojnë itinerarin dhe pikën fillestare të nisjes, e cila është dhe mbetet Stacioni i Autobusëve i Prishtinës. Mosrespektimi i këtij detyrimi e bën të pavlefshme licencën për operim.

Gjithashtu, rikujtojmë se Komuna e Podujevës ende nuk ka dhënë përgjigje përfundimtare ndaj draftit të marrëveshjes së përbashkët, gjë që e bën edhe më të rëndësishëm respektimin e rregullave ekzistuese dhe marrëveshjes së përkohshme në fuqi.”

Komuna e Prishtinës i bën thirrje operatorëve të transportit që të respektojnë rregullat dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive, duke rikujtuar se mbeten të hapur për dialog, por do të veprojë me vendosmëri për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të ruajtur rendin në transportin publik.

Shoqata e Transportit të Autobusëve Prishtinë – Podujevë ka njoftuar se duke filluar nga dita e hënë, kthimi nga Prishtina për në Podujevë do të bëhet nga Xhamia e Llapit, në mungesë të një stacioni të përshtatshëm për qytetarët.

“Po ashtu, ju njoftojmë se përderisa orarin e kemi nga Xhamia e Llapit, ligji është në anën tonë dhe na mbron në këtë vendim. Përveç kësaj, në këtë stacion përfshihen edhe udhëtarët e fshatrave Orllan, Shajkoc dhe Majac, ku ndalesa do të bëhet po ashtu te Xhamia e Llapit, siç ka qenë edhe më herët.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat