​Dështon mbledhja për buxhetin në Prishtinë, Rama: Opozita po saboton proceset e zhvillimit të kryeqytetit

Prishtina

​Dështon mbledhja për buxhetin në Prishtinë, Rama: Opozita po saboton proceset e zhvillimit të kryeqytetit

Më: 24 shtator 2025 Në ora: 11:08
Përparim Rama

Në mungesë të kuorumit ka dështuar të mbahet mbledhja e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës, e cila ishte thirrur nga kryetari Përparim Rama, për miratimin e buxhetit për vitin 2026. Në sallë ishin prezentë vetëm 21 asamblistë nga LDK, AKR dhe Nisma Socialdemokrate, ndërkaq munguan ata nga LVV, PDK dhe AAK. I pari i kryeqytetit e akuzoi opozitën, siç tha ai, për sabotim të proceseve zhvillimore të kryeqytetit, raporton KosovaPress.

Mungesën e kuorumit e konstatoi kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina.

Kupina: S’ka kuorum për mbajtjen e mbledhjes

“Konstatoj se nuk kemi kuorum për mbajtjen e kësaj mbledhje. Ju falënderoj për pjesëmarrje dhe me kaq e konstatoj të mbyllur këtë seancë,” tha ai.

Përkundër kësaj, fjalën e mori kryetari i Prishtinës, i cili e shfrytëzoi foltoren e Kuvendit Komunal të kryeqytetit për t’i bërë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, siç tha, “t'ia tregojnë vendin asamblistëve që po sabotojnë miratimin e buxhetit për vitin 2026”.

Rama: Opozita po saboton proceset zhvillimore në kryeqytet, qytetarët t’ia tregojnë vendin më 12 tetor

“Po e shihni që opozita në mënyrë destruktive po vazhdon të sabotojë proceset e zhvillimit të kryeqytetit, po vazhdon të jetë bllokuese. Për këtë arsye, ftoj qytetarët e kryeqytetit të reflektojnë që me 12 tetor t'ia tregojnë vendin secilit asamblistë që ka bllokuar dhe vazhdon të sabotojë këtë proces demokratik të transformimit të kryeqytetit. Prandaj, me 12 tetor uroj të kemi një shumicë me të cilën do të vazhdojmë me transformimin e kryeqytetit, siç kemi bërë këto katër vite,” tha ai.

Grupi i asamblistëve të LVV-së më herët ka bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në këtë mbledhje, derisa kanë arsyetuar vendimin e saj duke thënë se kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka dërguar për votim buxhetin në mënyrë të njëanshme, pa asnjë konsultim paraprak dhe duke i anashkaluar anëtarët e Kuvendit Komunal dhe qytetarët e Prishtinës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat