Murati i reagon Ramës: Keqmenaxhimi juaj ka sjellë shumicën e ndërmarrjeve para kolapsit

Prishtina

Murati i reagon Ramës: Keqmenaxhimi juaj ka sjellë shumicën e ndërmarrjeve para kolapsit

Më: 27 tetor 2025 Në ora: 12:36
Hekuran Murati

Ministri në detyrë i financave, Hekuran Murati i ka reaguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama i cili bëri të ditur se ka iniciuar padi ndaj Muratit për bllokim të buxhetit për kryeqytetin.

Murati në reagimin e tij ka thënë se Rama po mundohet që dështimet në qeverisje t’i arsyetoj me gënjeshtra.

Ai ka thënë se ndërmarrjet publike në kryeqytet janë në menaxhim të komunës.

“Shumica e ndërmarrjeve publike në Komunën e Prishtinës aktualisht gjenden para kolapsit financiar për shkak të keqmenaxhimit e mbipunësimit që ka bërë qeverisja e Përparim Ramës. Kjo është arsyeja kryesore. Gjithçka tjetër është broçkulla. Para kolapsit janë edhe ato ndërmarrje që financohen kryekëput nga tarifat për shërbimet që ofrojnë, e kjo nuk ka lidhje me buxhetin komunal, por thjesht është keqmenaxhim i komunës. Kjo ka ndikuar që shumë projekte që financohen nga partnerët ndërkombëtarë ose të vonohen apo edhe të rrezikohet në tërësi implementimi i tyre”, ka shkruar Murati.

Ai ka thënë se Komuna e Prishtinës ka bllokuar vetveten pasi nuk e ka miratuar buxhetin me kohë.

“Kurse sa i përket buxhetit, tashmë disa herë e kam sqaruar për publikun se qeveria qendrore nuk ka bllokuar e as që mund të bllokojë buxhetin e ndonjë komune. Komuna e Prishtinës e ka bllokuar vetveten duke mos e kaluar projekt-buxhetin brenda afatit ligjor.Këtë e di mirë edhe Përparim Rama, por që i përballur me dështimet gjithandej pas 4 viteve keqqeverisje, mendon se mund t’i mashtrojë votuesit duke hedhur fajin tjetër kund”, ka thënë Murati në reagimin e tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat