Në ora 11:00 janë larguar autobusët që kishin bllokuar rrugët e kryeqytetit në shenjë proteste nga punëtorët e Trafikut Urban dhe transporit publiko privat, ndërkohë ata po vazhdojnë të protestojnë para objektit të Komunës së Prishtinës.
Ata kanë bërë të ditur se protesta do të vazhdojë ditëve në vijim derisa të reflektoj sipas tyre kryetari i Komunës, Përparim Rama.
Kryetari i sindikatës së Trafikut Urban, Ilmi Gashi tha se pas takimit me minstrin Murati kanë kuptuar se komuna po deklaron kinse ministria nuk i ka alokuar paratë.
Gashi tha se gjatë takimit ministri Murati kishte premtuar se në momentin që asambleja komunale nxjerr një vendim për të hyra vetanake dhe dërgohet në ministri në atë moment Ministria e Financave do të alokojë paratë.
“Ministria ka alokuar ditën e premte 3.2 milionë, komuna i ka aloku për Trafikun Urban 630 mijë euro, nuk janë pjesë e asaj që mbulojnë shpenzimet e naftës që kemi borxh 1 milion, i kemi 800 mijë euro borxh punëtorëve për dy rroga, 100 mijë euro po na shkëputet kontrata për sigurime shëndetësore se kemi borxh. Komuna nuk po reflekton, na detyron neve kinse ministria nuk i ka alokuar paratë. Ne dje takuam ministrin 1 orë e 40 minuta me kryetar të shoqatave, ata u zotuan se nëse asambleja komunale nxjerr një vendim për bartjen e të hyrave vetanake për vitin 2024, në momentin që nxjerr vendimin dhe ia përcjellë ministrisë, në atë moment ministria është e gatshme me i aloku paret. Ky vendim deri tash nuk ka ndodhur”, tha Gashi.
Ndërsa sekretari i shoqatës së sektorit privat , Ismet Haliti tha se forma e organizimit të protestës do të ndryshojë, pasi që po merr karakter politik.
Ai tregoi se tatimet ndaj shtetit i janë paguar me të ardhura personale.
“Në ora 11 do ta ndërpresim protestën, forma e organizimit nesër do të ndërrojë, po merr karakter politik kjo protestë e jona, kështu që nga nesër do të mbajmë protestën mes qeverisë dhe komunës, punën do vazhdojmë kur të dalin mjetet.. tatimet i kemi paguar me të ardhurat personale të tona”, tha Haliti.
E drejtori i linjës 7B, Avdyl Brajshori u kërkoi ndjesë qytetarëve dhe i falenderoi për durimin.
“Autobusët nuk dalin në qarkullim pa u kryer pagesat, nuk kemi mundësi me i kry obligimet ndaj furnitorëve tonë që me vazhdu shërbimin ndaj qytetarëve, ju kërkoj ndjesë qytetarëve dhe i falenderojë për durimin që e kanë”, shtoi Brajshori.
Shuma e borxhit që ka Komuna e Prishtinës ndaj Trafikut Urban është 3 milionë e 200 mijë euro.
Që nga dita e hënë Trafiku Urban dhe linjat publiko-private kanë ndaluar qarkullimin e transportit publik.
Ndërkohë, po pritet që kryetari i Komunës së Prishtinë Përparim Rama të mbajë një konferencë për media.