Rama: Buxheti i Prishtinës nuk mund të injorohet

Prishtina

Rama: Buxheti i Prishtinës nuk mund të injorohet

Më: 15 shkurt 2026 Në ora: 15:27
Foto nga vendngjarja

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë një konference për media ka reaguar lidhur me mos-përfshirjen e buxhetit të Komunës së Prishtinës në Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës 2026. Ai ka theksuar se kjo nuk është thjesht një neglizhencë administrative, por një cenim i drejtpërdrejtë i rendit kushtetues, që mund të shkaktojë bllokimin e shërbimeve publike dhe ndalimin e projekteve kapitale të Kryeqytetit.

“Më 6 shkurt 2026, Kuvendi i Kryeqytetit miratoi Buxhetin e Komunës së Prishtinës për vitin 2026.Po atë ditë, buxheti u dërgua brenda afateve ligjore në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe në Ministrinë e Financave”, tha Rama .

Megjithatë, ai tha se ky buxhet i miratuar nuk është përfshirë në Projektligjin për Ndarjet Buxhetore të Republikës së Kosovës, i cili tashmë ndodhet në procedurë parlamentare.

“Kjo ndodh pa arsyetim dhe pa asnjë bazë ligjore. Nuk është neglizhencë administrative, kjo është cenim i drejtpërdrejtë i rendit kushtetues”, theksoi Rama.

Ai tha se buxheti i Komunës së Prishtinës është dokumenti që i jep Kryeqytetit fuqinë për të ushtruar kompetencat e tij kushtetuese.  Sipas tij, çdo ndërhyrje ose përjashtim arbitrar është shkelje flagrante e autonomisë lokale dhe e ligjeve për financat publike.

Rama gjithashtu përmendi pasojat nga mospërfshirja e Prishtinës në projektligjin për buxhetin. “Pasojat nuk janë teorike. Ato janë reale dhe të menjëhershme:bllokohen shërbimet publike për qytetarët, ndalen projektet kapitale,paralizohet funksionimi institucional i Kryeqytetit”, nënvizoi ai.

Kryetari Rama tha se askush nuk ka të drejtë të marrë peng Prishtinën dhe se asnjë institucion nuk ka mandat ta vendosë Kryeqytetin jashtë sistemit buxhetor të Republikës.

Për këtë arsye, ai tha se qeverisja komunale i është drejtuar zyrtarisht Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kryetares dhe Kryesisë së Kuvendit, duke kërkuar përfshirjen e menjëhershme dhe të plotë të buxhetit të miratuar të Prishtinës para votimit final të Ligjit për Buxhetin 2026.

“Po ashtu, është kërkuar nga Ministria e Financave të paraqesë me shkrim bazën ligjore të mospërfshirjes, të korrigjojë menjëherë këtë shkelje, dhe të japë përgjigje brenda afatit ligjor”, tha ai.

Kryetari Rama paralajmëroi se, nëse Ligji për Buxhetin 2026 miratohet duke injoruar buxhetin e Kryeqytetit, ai do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, dhe do të kërkohet përgjegjësi nga çdo autoritet qendror që keqpërdor detyrën për të sabotuar Kryeqytetin.

“Ligji nuk është çështje vullneti, ligji është detyrim. Ne jemi të hapur për zgjidhje institucionale të menjëhershme, por nuk do të heshtim përballë një shkeljeje që dëmton drejtpërdrejt qytetarët e Prishtinës. Prishtina nuk është opsion anësor në buxhetin e Republikës. Prishtina është Kryeqyteti. Kryeqyteti nuk duhet të sabohet dhe nuk do të lejojmë një gjë të tillë, përfundoi Kryetari Rama.

I pyetur nga gazetarët, Rama, gjatë kesaj konference ka konfirmuar se do të marrë pjesë në protestën që mbahet më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë. Ai theksoi se kjo çështje tejkalon përkatësitë partiake dhe është një çështje kombëtare, duke nënvizuar vlerat dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Unë do të jem aty dhe si kryetar i Kryeqytetit, edhe si institucione të administratës komunale, do të mbështes qytetarët”, tha Rama. Ai njoftoi gjithashtu se gjatë ditës së protestës, transporti urban do të jetë falas për të gjithë qytetarët, për t’i lehtësuar ata që duan të marrin pjesë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat