Tregu i Gjelbër i Prishtinës vazhdon të mbetet vetëm një premtim elektoral dhe asgjë më shumë. Që nga paslufta janë bërë investime kryesisht në tezgat ku tregtarët dhe fermerët shesin produktet e tyre. Megjithatë, ky treg vazhdon të funksionojë në kushte të mjerueshme, ku mungon pastërtia si element bazik dhe nuk ofron gjëra elementare për të krijuar kushte të qëndrueshme për shitësit.
Qysh prej vitesh ishte premtuar zgjidhje. Zgjidhje u premtua edhe në mandatin e parë të Përparim Ramës. Pavarësisht kësaj, gjendja e Tregut të Gjelbër në kryeqytet mbetet e njëjtë.
Qytetarët të cilët blejnë në këtë treg, kanë ankesat nga më të ndryshmet, duke filluar nga çmimet, niveli i pastërtisë e gjendja në të cilën ndodhet kjo hapësirë.
“Nuk ki pastërti, as nuk ki asgjë, edhe çmimet janë qysh po i shohim edhe vetë. Ka nevojë për një treg të ri se qyteti është I madh”, ka thënë një qytetarë.
Andaj, marrë parasysh që sa kohë ky treg është në këtë gjendje, ata thonë se nevoja është që të ketë treg të ri.
“Është e nevojshme, qe ky tregu ka shumë vite, sepse jam banor moti edhe e di qysh o kanë. Kështu gjithmonë o kanë", shtoi një tjetër qytetar.
E nga tregtarët thonë se premtime janë dhënë prej vitesh, por që gjendja në të cilën punojnë është shumë e keqe.
“Po punoj, po me këto kushte qysh jem duke punuar, kjo është katastrofë”, ka thënë njëri nga tregtarët.
Nga PDK në Prishtinë thonë se është e nevojshme që të shtyhet përpara projekti për treg të ri, derisa nga Vetëvendosje hedhin akuza në drejtim të kryetarit Përparim Rama.
“Gjendja është shumë e keqe në treg, sidomos të pjesa e bulmetit, në anën tjetër sa herë që bie shi pikon. Kështu që në rast se kemi seriozitet mendoj që duhemi me shty përpara”, ka thënë Fjolla Vukshinaj, nga PDK.
“Për katër vit Rama nuk ka arritur të përfundoj projekte elementare siç është tregu i gjelbër”, ka thënë Gëzim Sveçla, nga Vetëvendosje.
E kryetari i Prishtinës, shkurtimisht tha se janë duke u angazhuar për Tregun e Gjelbër.
“Edhe për tregun e gjelbër, në mënyrë joligjore na kanë blloku dhe do të vazhdojmë në gjykata me vazhdu këtë proces dhe jemi duke vazhdu punimet”, ka thënë Përparim Rama, kryetar i Prishtinës.
Deri në gjetjen e zgjidhjes, tregtarët do ta zhvillojnë punën e tyre në gjendjen aktuale.