​Problemi me mbeturinat vëllimore dhe inerte në Prishtinë, Komuna hap pikë tranzitore në Zllatar

Prishtina

​Problemi me mbeturinat vëllimore dhe inerte në Prishtinë, Komuna hap pikë tranzitore në Zllatar

Më: 16 mars 2026 Në ora: 17:23
Foto ilustrim

Gjatë javëve të fundit janë vërejtur grumbuj të mbeturinave vëllimore dhe inerte pranë kontejnerëve në lokacione të ndryshme në Komunën e Prishtinës.

Për këtë problem, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, Njomza Recaj ka deklaruar se ekipet janë duke punuar vazhdimisht në terren, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë parkimit të veturave pranë kontejnerëve.

Recaj: KRM “Pastrimi”: Parkimi pranë kontejnerëve po pengon zbrazjen e mbeturinave

“Ne si "Pastrimi" i mbledhim domethënë çdo ditë pune mbeturinat vëllimore dhe inerte nga e hëna deri në të premten .... Kolegët tanë po punojnë me tri ndërrime në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë ditës dhe natës. Mirëpo, gjithashtu duhet cekur që i kemi disa rrugë në qytet, të cilat janë nën menaxhimin e kompanive private, të cilat janë kontraktuar nga komuna e Prishtinës. Po gjithashtu ka rrugë të cilat janë nën operimin tonë, domethënë që largimin e mbeturinave e bëjmë ne, mirëpo ka raste kur nuk mund të kryejmë shërbimin, për arsye që veturat parkohen në afërsi të kontejnerëve dhe na e pamundësojnë kryerjen e shërbimeve” , tha Recaj.

Ajo thotë se kompania u bën thirrje qytetarëve të kenë kujdes në parkimin e automjeteve pranë kontejnerëve, pasi kjo po ua vështirëson kamionëve tërheqjen dhe zbrazjen e tyre.

Për zgjidhjen e problemit, Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Luftar Braha ka thënë për KosovaPress se rrugës për në Zllatar është krijuar një pikë tranzitore e cila do të përdoret për hudhjen e mbeturinave vëllimore dhe inerte.

Braha: Lokacioni për hedhjen e mbeturinave vëllimore dhe inerte është te deponia e dherave rrugës për në Zllatar

“Lokacioni është në rrugës për në Zllatar, është te deponia e dherave, një pjesë e vogël e asaj pjese të deponisë së dherave që do të shfrytëzohet si pikë tranzitore, po e ritheksoj që është pikë tranzitore, nuk është deponi e mbetjeve vëllimore, por është pikë tranzitore në të cilën në të ardhmen presim pastaj me vazhdu edhe punime të tjera ku do të bëhet ndarja, klasifikimi, menaxhimi deri në shkatërrim edhe dërgim në deponinë e përgjithshme në Mirash”, tha ai.

Braha tregoi hapat që duhet të ndjekin qytetarët për dërgimin e mbeturinave vëllimore dhe inerte në këtë lokacion.

Braha: Automjetet për bartjen e mbeturinave duhet të jenë të licencuara

“E para është me marrë leje edhe për renovim, me marrë leje në Drejtorinë e Urbanizmit, nuk mundesh me shku veç me bë renovim edhe me thënë po e bëj, se në momentin që bën renovim ke me kriju edhe mbeturina edhe pjesë e lejes është edhe menaxhimi i mbeturinave. E dyta është me i kontraktu kompanitë lokale... ... Janë numrat e telefonit që i kemi publikuar që janë të ndërmarrjeve lokale Pastrimi dhe Gjelbër që duhet të kontraktohen prej të gjithë qytetarëve edhe përmes tyre mund të bëhet edhe bartja, sepse është me rëndësi me cekë që edhe bartjen e mbeturinave nëpër qytet nuk ka të drejtë çdo operator me e bë. Domethënë automjetet të cilat janë për bartjen e mbeturinave janë automjete që duhet të jenë të licencuara, të kenë leje të posaçme nga Komuna e Prishtinës për me bartë mbeturina”, u shpreh Braha.

Sa i përket kostos që duhet të paguajnë qytetarët për hudhjen e këtyre kategorive të mbeturinave në lokacionin e vendosur, Braha tha se kostoja do të shkoj duke u bazuar në sasinë e mbeturinave.

Braha: Kostoja për deponim falas për muajin mars, nga muaji prill do të jetë në bazë të sasisë së mbeturinave

“Kostoja për me i deponu në deponi është falas, për muajin mars do të jetë falas edhe në prill pastaj do të publikohen kostot e deponisë, ato shkojnë zakonisht me metër kub. Por deri atëherë, kjo është falas....... Në aksionin që jemi duke e marrë këto ditë i kemi edhe operatorët privatë që i kemi të angazhuar për mbledhjen e mbeturinave të amvisërisë, po i angazhojmë edhe për këtë pjesë por kjo është afatshkurtër sepse nuk kemi resurse të mjaftueshme me bë, do të vazhdojmë vetëm me ndërmarrjen Pastrimi”, tha ai.

Ai paralajmëroi edhe masa ndëshkuese për qytetarët që nuk i përmbahen rregullores për hudhjen e mbeturinave, përfshirë konfiskimin e automjeteve që transportojnë mbeturina në mënyrë të kundërligjshme.

Braha: Masë ndëshkuese: konfiskimi i automjeteve që bëjnë bartjen e mbeturinave në mënyrë të kundërligjshme

“E para, masat ndëshkuese do të jenë pjesë e rregulloreve të komunës që janë të përcaktuara në nivele të masave ndëshkuese, por do të jetë një veprim që po ashtu është i përcaktuar, është konfiskimi i të gjitha automjeteve që bëjnë bartjen edhe hudhjen e materialeve në mënyrë kundërligjore të atyre ndërtimore vëllimore. Domethënë, në vend, në momentin që do të ndalohen nga inspektorët e Komunës së Prishtinës, këto automjete do të konfiskohen edhe nuk do të mund të lirohen pa u paguar të gjitha gjobat, plus edhe gjoba edhe pjesa e tarifave të konfiskimit”, u shpreh ai

Ndërkaq, drejtori i Inspektoratit të Prishtinës, Bekim Bestrovci, tha se gjatë vitit 2026 janë shqiptuar gjashtë gjoba për hudhje të mbeturinave inerte.

“Drejtoria e Inspekcionit ka një bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe në vazhdimësi realizojnë inspektime në terren. Deri më tani, gjatë vitit 2026 janë shqiptuar 6 gjoba për hudhje të mbeturinave inerte”

Sipas rregullores për menaxhimin e mbeturinave të Komunës së Prishtinës, gjobat për veprimet e mbeturina që shkaktojnë ndotjen e mjedisit dhe demtojn shëndetin e njeriut janë në vlerë prej 20 deri në 500 euro.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat