PD: Pajisjet anti-COVID u blenë 3 herë më shtrenjtë, qeveria shpalli fituese ofertën më të lartë

Shqipëria

PD: Pajisjet anti-COVID u blenë 3 herë më shtrenjtë, qeveria shpalli fituese ofertën më të lartë

Më: 29 nëntor 2020 Në ora: 13:59
Orjola Pampuri

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri denoncoi sot nga seli a blu se pajisjet anti-COVID janë blerë 3 herë më shtrenjtë.

Sipas saj qeveria ka shpallur fituese ofertën më të lartë.

“Në shtator të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë ka hapur një tender me vlerë 5 milionë euro për të blerë disa mjete mbrojtëse anti-COVID, vlera e të cilave nuk shkon kurrë më shumë se 1.5 milionë euro.

Tenderi kualifikoi disa kompani me oferta nën 2 milionë euro, por një vendim i organi tjetër të qeverisë, Komisioni i Prokurimit Publik, i skualifikoi të gjithë ofertat më të ulëta.

Ndër 12 kompani ofertuese, ai shpalli fituese kompaninë me ofertën më të lartë, e renditur e 10-ta. Për shkak të kësaj lufte mes klanesh në qeveri, pajisjet anticovid do të blihen me çmim 3 herë më të lartë se ofertat e skualifikuara”, u shpreh ish-deputetja.

Ajo theksoi më tej që në vend që paratë të përdoren me kujdes në kohë krize, Rama u ndan ato me klanet e veta.

“Në vend që paratë e qytetarëve të përdoren me kujdes në këtë kohë krize, qeveria e Edi Ramës, në mënyrë arbitrare, vendos t’i ndajë këto para me klanin që ofron më shumë para për xhepin e tij. 

Kjo është një qeveri që vjedh edhe në kohë pandemie. Këta nuk heqin dorë nga pasurimi i paligjshëm, edhe kur e dinë se qytetarët mezi ia dalin të mbyllin muajin dhe marrin borxh për të blerë ilaçet anti-COVID.

Pandjeshmëria e kësaj qeverie dhe e këtij kryeministri, arroganca, babëzia për të përfituar në çdo kohë dhe në çdo rrethanë është fytyra e kësaj qeverie.

Duhet ta kemi parasysh sa herë të shihni ambulancat në radhë se nuk ka shtretër, sa herë të mos gjeni oksigjen për familjarët, sa herë të merrni borxh për ilaçet, sa herë dilni me humbje në biznesin tuaj të vogël, duhet ta kemi parasysh, kur dikush humb vendin e punës dhe kur i bëhet një padrejtësi”, tha Pampuri.

Sipas saj, babëzia, pandjeshmëria dhe arroganca e pushtetit do të largohet më 25 Prill.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat