Çfarë nuk u pa në ditën e tretë të protestës, strategjia e re për të shpërndarë turmën

Shqipëria

Çfarë nuk u pa në ditën e tretë të protestës, strategjia e re për të shpërndarë turmën

Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 10:21
Pamje nga vendi i ngjarjes

Qindra të rinj u mblodhën mbrëmë në tubimin e tretë për vrasjen e 25- vjeçarit Klodian Rasha nga polici i “Shqiponjave”. Protesta e të rinjve ishte e paralajmëruar në rrjetet sociale, dhe që arriti të bëjë bashk shqiptarët ku organizuan protesta në qytetet e tyre. 

Megjithatë, duket se dje nuk u lejua të zhvillohej një protestë e mirëfilltë, ashtu sikurse në dy protestat e mëparshme. Kjo, pasi Policia e Shtetit përdori një strategji të re.

Vendosi të mbrojë institucionet duke përdorur gazin lotsjellës dhe ujin me presion. Protestuesit nisën thirrjet në kor: “Ardi Veliu jep dorëheqjen!”.

Por, nga ana tjetër, Policia nisi shpërndarjen e tyre, madje duke shoqëruar me dhjetëra. Kështu ndodhi kur një grup të rinjsh nisi marshimin drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Pa arritur që të grumbulloheshin si natën e kaluar, efektivë të FNSH, por edhe efektivë civilë të Policisë, nisën t’i shoqërojnë, duke mos i lejuar të kryenin të njëjtat veprime si të enjten.

MASAT E POLICISE

Dje, në ditën e tretë të protestës në kryeqytet, Policia ka “blinduar” Ministrinë e Brendshme, për t’i paraprirë çdo situate që mund të përshkallëzonte.

Ndërkohë që protestuesit kanë shfryrë inatin e tyre, duke shkatërruar madje dhe stacionet e autobusëve, ndërsa Policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës. Për një kohë të gjatë, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe disa rrugë të tjera janë zbardhur nga gazi lotsjellës.

Dhjetëra të rinj, që duket se kanë qenë skeduar më nga Policia në dy protestat e mëparshme, janë shoqëruar te Kryeministria. Policia ka hedhur gaz lotsjellës, aq sa edhe gazetarët që raportonin nga vendi ku po grumbulloheshin protestuesit, e kanë pasur të vështirë të kryenin detyrën, pasi duket se sasia e gazit ka qenë edhe më e madhe se më parë, duke vështirësuar frymëmarrjen, por edhe shikimin.

Një autobot ka hyrë në zonën e ish-Bllokut, duke ndjekur protestuesit për t’i shpërndarë. Para Kryeministrisë është kthyer qetësia, ndërsa forcat e Policisë janë shpërndarë ashtu si protestuesit në gjithë qendrën e kryeqytetit. Situata qetësohej vetëm për aq kohë sa ishte prezent gazi në rrugë.

Në momentin që nuk kishte më gaz, protestuesit grumbulloheshin sërish. Ata kanë tentuar të bllokojnë rrugët, me koshat e hequr nga anët e trotuareve. Ndërsa kanë vijuar të godasin me shkopinj shtyllat e semaforëve dhe sinjalistikën rrugore.

“Poshtë diktatura!”, protestë edhe në Durrës, digjen kazanët e plehrave

Rreth 300 protestues janë mbledhur mbrëmjen e djeshme para Policisë së Durrësit, duke kërkuar drejtësi për vdekjen e Klodian Rashës, si dhe dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama. Protesta nisi përgjatë sheshit “Iliria”, ndërsa përfundoi para Drejtorisë së Policisë.

Personat e grumbulluar nisën të thërrasin në kor: “Poshtë diktatura!”. Ata, në shenjë kundërshtie, bllokuan rrugën dhe nisën që t’u vendosnin zjarrin kazanëve të mbeturinave.

Ndërkohë që nga pamjet live që u transmetuan në “News 24”, u panë disa të rinj teksa shoqëroheshin nga Policia. Po ashtu, disa protestues kishin hedhur mbeturina para Policisë. Vrasja e 25- vjeçarit mblodhi sërish në protestë një grup të rinjsh edhe në qytetin e Lezhës.

Ata u grumbulluan rreth orës 17:00 në qendër të qytetit pranë obeliskut të Besëlidhjes dhe me pas marshuan përgjatë rrugës “Luigj Gurakuqi” dhe u ndaluan para Komisariatit të Policisë. Me thirrje “Rama ik” dhe “Drejtësi për Klodianin”, të rinjtë qëndruan për disa minuta para ambienteve të Policisë, duke hedhur dhe shashka në drejtim të bluve dhe godinës së Policisë. Për shpërndarjen e të rinjve ndërhynë disa oficerë civilë të Policisë, duke bërë që protesta të mbyllet pas rreth 40 minutash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat