Qendra shëndetësore në Devoll në të njëjtin ambient me stallën e lopëve, banorët thirrje për investime

Shqipëria

Qendra shëndetësore në Devoll në të njëjtin ambient me stallën e lopëve, banorët thirrje për investime

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 09:29
Qendra shëndetësore në Devoll

Vetëm 8 km larg Devollit ndodhet fshati Përparimaj.

600 banorët e këtij fshati vuajnë mungesën e një qendre shëndetësore të përshtatshme për të marrë shërbim, pasi ajo aktuale ndodhet në kushte të mjerueshme. 

"Ashtu siç shihet mbrapa meje, kati i parë i kësaj ndërtese shërben si stallë ndërkohë që në katin e dytë është pikërisht vendi ku banorët e fshatit Përparimaj marrin kujdes shëndetësor. Këta të fundit ndihen të pasigurt për shkak të gjendjes së amortizuar të kësaj ndërtese", raportoi gazetari Xhensil Shkëmbi.

Vetë banorët shprehen se që nga fillimi i demokracisë kjo ndërtesë nuk ka plotësuar as kushtet bazë për një qendër shëndetësore.

"Që kur filloi demokracia, që kur u prish sistemi kështu ka qenë kjo. Shqetësime, si nuk sjell shqetësime, erëra të këqija, pisllëqe. Duhet të investojë patjetër, ja ai muri matanë ka rënë atje, për shumë pak leka, një usta, gati gjysmë ditë do ajo", u shpreh një banor.

"Ti je i fundit që ke ardhur këtu. Kanë ardhur shumë këtu e asgjë nuk kanë bërë, me polici, edhe ja shikoji gjërat këtu si janë", u shpreh një banore.

"Aty duhet të investohet, nuk është e sigurt. Ajo është mender stallë", tha një tjetër.

"Nuk është e rregullt, duhet të rregullohet", pohoi një banor.

Nga ana tjetër në Bashkinë e Devollit e pranojnë që kjo qendër nuk ofron kushtet për t'i shërbyer banorëve, ndërsa shtojnë se rikonstruksioni i saj nuk është në planet e afërta të këtij institucioni.

"Nuk themi që ka kushtet optimale për t'i shërbyer popullit. Ne kemi bërë vetëm mirëmbajtjen e murit rrethues, me ato mundësi që kemi ne. Po mendohet për të parashikuar diçka për këtë pjesë, për të bërë pjesën e ndërtimit apo rikonstruksionit, është në një të ardhme tjetër, nuk mund të themi që e kemi sot”, deklaroi Eliverta Pavliqoti, nënkryetare e bashkisë Devoll.

E deri kur mendimet të konkretizohen në projekte konkrete, banorët e fshatit Përparimaj duhet ende të marrin kujdes shëndetësor në këtë ndërtesë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat