Dëbora mbulon veriun/ Bulqiza pa energji elektrike, zbardhet Puka dhe Shkodra. Probleme në detin Adriatik

Shqipëria

Dëbora mbulon veriun/ Bulqiza pa energji elektrike, zbardhet Puka dhe Shkodra. Probleme në detin Adriatik

Më: 27 dhjetor 2020 Në ora: 17:37
Bulqiza

Në veri te vendit nisën reshjet e para të dëbores që kanë sjellë edhe probleme në disa zona.

Në Bulqizë reshjet janë shoqëruar me erë të fortë dhe ngrica. Dëbora ka sjellë probleme në aksin rrugor Bulqizë-Peshkopi, por jo vetëm. I gjithë rrethi i Bulqizës mbeti pa energji, ndërsa nis mirëmbajtja e rrugëve nacionale. Policia u bëri thirrje drejtueseve të automjeteve, të cilët lëvizin në rrugët rurale qe të përdorin zinxhirë.

Reshjet e dëborës gjatë 24 orëve te fundit kanë përfshirë edhe qarkun e Shkodrës. Dëbora ka zbardhur të gjithë bashkinë e Pukës, ku ne disa fshatra ka arritur deri në mbi 30 centimetër, ndërsa ne qytet bashkia ka bërë pastrimin e rrugëve.

Edhe ne zonat turistike të Thethit, Vermoshit dhe Lepushës, ka reshje të konsiderueshme dëbore. Deri me tani nuk raportohet për bllokim te akseve rrugore, por vetëm probleme me ndërprerjen e energjisë elektrike.

Moti u përkeqësua edhe në Adriatik. Në ditët e para të javës së fundit të këtij viti parashikohen erëra të forta detare me drejtim nga jugperëndimi që do të vështirësojnë lëvizjet këtë fundviti.

Ndërkohë ne gjirin e Vlorës era ka qene me shpejtësi sot deri në 17 meter per sekondë nga Jugu, që ka sjell dallgë. Me këtë mot nuk lejohen të lëvizin mjetet e vogla lundruese si dhe peshkarexhat

Kapiteneria e portit detar të Durrësit njofton se të hënë dhe të martë forca e detit pritet të arrijë 7-8 ballë. Kapiteneria ka njoftuar anijet për situatën në vazhdim duke kërkuar shmangien e lundrimeve për anijet e tonazhit të vogël e të mesëm, deri në ndryshimin e kushteve atmosferike në det të hapur, si dhe marrjen e masave të sigurisë për mjetet lundruese.  Mëngjesin e se dielës në port ka mbërritur në kohë një traget i linjës së Barit me 281 pasagjerë, kryesisht emigrantë që kthehen në Shqipëri dhe Kosovë për të festuar ndërrimin e viteve, si dhe 63 mjete. Numri i udhëtarëve në këtë fundviti për shkak të kushteve te diktuara dhe nga pandemia ka qenë më i ulët se vitet e kaluara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat