Pastrimi i parave në ndërtim? – Rama: Verifikohet kushdo që blen apartament

Shqipëria

Pastrimi i parave në ndërtim? – Rama: Verifikohet kushdo që blen apartament

Më: 26 janar 2021 Në ora: 13:03
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i ka hedhur poshtë pretendimet se mafia italiane Ndragheta është përfshirë në pastrimin e parave në Tiranë në sektorin e ndërtimit.

Në një konferencë shtypi me gazetarët, Rama është shprehur se vendi ynë ka filtra të fortë për të goditur pastrimin e parave.

“Ku i shikoni këtu ju këto pallatet, gradaçelat, gjithë ato marrëzira që e kanë menduar Shqipërinë në fakt siç e përshkruani ju, sic e përshkruan opozita, vendin e mafias, vendin e drogës, vendin ku o burra të nisemi se bëhet pastrim parash. A ka pastrim parash? Ku nuk ka? Dini ndonjë vend që nuk ka? Të gjitha vendet luftojnë me paratë e pista. Dhe në Shqipëri rregullat e vendosura janë jashtëzakonisht të shtrënguara në raport me shumë vende të tjera. Dhe ky është një problem që unë e kam dhe e diskutoj vazhdimisht me institucionet përkatëse”.

Duke folur në këtë aspekt, Kryeministri solli shembullin e emigrantëve të cilët dërgojnë para në familjet e tyre në Shqipëri apo blejnë apartament në vendin tonë, dhe këto para iu bllokohen për muaj me radhë për shkak të procedurave të verifikimit.

“Blen një shtëpi një emigrant, apo çon 15 mijë Euro në shtëpi dhe i bllokohen paratë me muaj për t’u verifikuar se ku i gjeti. Gjë që ka krijuar probleme për emigrantët për të çuar para në Shqipëri. Nga i nxirrni këto konkluzione që ndërtohet pa banka? Bëni një hetim se do jetë shumë i mirëseardhur hetimi se do na ndihmojë dhe ne. Bëhen verifikime ekstreme me të cilat unë nuk jam dakord, por ky është ligji, kjo është rruga që kemi zgjedhur. Çdo klient që blen apartament në Shqipëri, shqiptar, emigrant, shqiptar Shqipërie, apo i huaj kalon në filtrin e verifikimit të pastrimit të parave. Të gjitha kompanitë e ndërtimit janë të detyruara të japin shpjegime dhe kanë ankesa për këtë punë se kjo tremb klientelën. A ka? Patjetër! As nuk e përjashtoj fare. Por ku? Si? Sa? Kjo është sfida e institucioneve dhe ju ftoj t’i bashkoheni me investigime”.

Lidhur me investigimet, Rama foli për denoncimet e emisionit Stop në Tv Klan, që zbuloi rastet e vjedhjeve të pacientëve në spitalet Covid.

“Një sanitare e morën e guzhduan me prova dhe është sot në burg. Ai është shërbim ndaj vendit. Ai është shërbim në nxjerrjen në pah të dobësive të çfarëdo natyre. Kujtoni se këtu ne jemi në barrikada të ndryshme? Jo ne jemi në një barrikadë. Jam shumë i keqardhur kur shoh viktimat e këtyre abuzimeve siç ishte rasti i asaj vajzës. Por jam shumë i lumtur kur shoh që falë kontributit të një media gozhdohet një pleh edhe largohet nga trupi i shtetit”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat