Porosia e kryeministrit Rama për drejtuesit politik: Mos neglizhoni asnjë…

Shqipëria

Porosia e kryeministrit Rama për drejtuesit politik: Mos neglizhoni asnjë…

Më: 26 janar 2021 Në ora: 15:25
Edi Rama

Kryeministri Rama mblodhi dje në selinë rozë drejtuesit politikë të PS-së në qarqe, në të parin takim të tyre për vitin 2021.

Kur mbeten vetëm tre muaj nga data e zgjedhjeve, socialistët e kanë tashmë të përcaktuar grupin e parë të listës së kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit, të cilët po punojnë në zonat që mbulojnë në çdo qark.

Ende nuk dihet renditja e tyre në listë, e cila do të jetë një vendim politik i kryetarit dhe kryesisë së Partisë Socialiste në ditët në vijim deri në depozitimin e listës në Komision Qendror të Zgjedhjeve.

Kryeministri Rama, i pranishëm në këtë takim, u kërkoi drejtuesve politikë në qarqe që të propozojnë kandidatët për pjesën e dytë të listës së Partisë Socialiste, dhe pse pozicionet mes listës fituese dhe asaj ‘mbushëse’ jo rrallë herë kanë kaluar përmes debateve të shumta apo sfidave në të cilat janë vënë kandidatë që kanë pretenduar se kanë mbështetje të mëdha në ato qarqe.

Gjithashtu, kryesocialisti ka porositur drejtuesit politikë të tij në çdo qark që të mos neglizhojnë në takimet e tyre asnjë grup interesi apo komuniteti pa takuar dhe dëgjuar në funksion të fitores së zgjedhjeve të 25 prillit dhe marrjes së mandatit të tretë qeverisës. Mësohet se Kryeministri Rama ka kërkuar arritjen e 800 mijë votave për Partinë Socialiste, të cilat do t’i jepnin asaj një mandat të tretë në qeveri.

Vetë Kryeministri Rama është shprehur në takimet e mëparshme se objektivi minimal i PS-së është të ruajë 71 mandatet e 2017-ës, ndërsa ai maksimal është fitorja e 74 mandateve. Socialistët synojnë të përmbysin rezultatin e 2017-ës në Kukës dhe Dibër, që ishte në favor të PD-së. Ndërkohë, në Tiranë kërkojnë të shkojnë në mbi 19 mandate, kjo pasi një mandat i hequr Gjirokastrës i kaloi qarkut Tiranë. Futja e Jozefina Topallit në ringun elektoral në Shkodër dhe fitimi i një mandati në kryeqendrën e Veriut nuk ka mbetur jashtë analizës së shumicës qeverisëse.

BALLA

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes tha se u diskutua vijueshmëria e fushatës duke qenë se zgjedhjet po afrohen gjithnjë e më shumë.

“Shtabi elektoral ka qenë në kontakt të vazhdueshëm edhe në takimet që raportohet vijueshmëria e fushatës si dhe përgatitjet për fitoren e 25 prillit dhe kjo e sotmja ishte një mbledhje raportuese. Kemi hyrë në periudhën para zgjedhjeve dhe jemi të detyruar të respektojmë Kodin Zgjedhor. Sot do të mirëpresim delegacionin e ODHIR-it për të vazhduar komunikimin për zgjedhje të lira, se për ne është e rëndësishme që PD-ja t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve. Sa për pyetjen e procesit e të kandidaturave, biem dakord që PS-ja ka bërë proces shumëplanësh për këtë.

Jam krenar që kemi përmbyllur platformën “deputeti që duam”, ku u dhamë mundësi profesionistëve nga mësues, fermerë, të konkurrojnë dhe tashmë kemi arritur në një grup shumë të mirë, që kanë vendosur të jenë me ne, kjo ka qenë një pikë e diskutimeve të sotme. Jam i sigurt se në të gjitha qarqet do të kemi përfaqësues nga ky proces.

Kemi përmbyllur një proces tjetër, për të vlerësuar ekipin aktual të deputetëve ku morëm ‘feedback’ pozitiv, ku PS-ja do diskutojë dhe listën përfundimtare. Për shkak të dritares dhe mundësisë që ka ofruar Kodi Zgjedhor, lista e kandidatëve do të jetë uniforme në të gjitha qarqet. Në shumë qarqe lista do të ndryshojë për shkak të preferencës së qytetarëve. Ne i kemi pothuajse gati, por po bëjmë konsultime që ta kemi sa më të përfaqësuar. Ky është një proces që po ecën shumë mirë”, tha numri dy në Partinë Socialiste, Taulant Balla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat