Turqia po ndërton spitalin e ri në Fier/ Bushati: I mirëpritur, por duhet të kemi më shumë informacione!

Shqipëria

Turqia po ndërton spitalin e ri në Fier/ Bushati: I mirëpritur, por duhet të kemi më shumë informacione!

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 10:31
Ditmir Bushati

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha se është i mirëpritur ndërtimi nga Turqia i Spitalit Rajonal të Fierit, pasi lidhet me humanizmin dhe emergjencat.

Megjithatë Bushati, duke folur në mbledhjen e Komisionit për Politikën e Jashtme kërkoi më shumë informacion mbi investimin, kapacitetet dhe planet e qeverisë.

Ndër të tjera ai shtroi pyetjen nëse ky investim i ri do të ndikojë në uljen e numrit të shtetasve shqiptarë që shkojnë për kurim në Turqi.

“Do të doja të shprehja mbështetje për projektin e ardhur nga ana e qeverisë sa i përket kësaj nisme. E përshpejtuar apo në procedurë normale, besoj se kjo është një çështje e vendosur në Konferencën  e Kryetarëve. Sado që secili prej nesh mund të ketë këndshikimin e tij për procedurat parlamentare, gjithësesi besoj se këtu duhet të nisemi nga objektivat që kanë lidhje me humanizmin dhe emergjencat. Është i mirëpritur ndërtimi i këtij spitali. Nga ana tjetër besoj se do ishte më normale që të kishim pak më shumë informacion për kapacitetet që do të alokohen për këtë spital.

E dëgjova prof. Rakacollin, ideja është që do ti shërbejë të gjithë Jugut të Shqipërisë. Do të doja të kishim pak më shumë informacion rreth planeve të qeverisë. Duke qenë se shumë shtetas shqiptar marrin trajtim shëndetësor në Turqi, kanë një pyetje edhe në raport me pritshmëritë, pra do të kemi një reduktim të shtetasve shqiptar që marrin trajtim shëndetësor në Turqi? Besoj se Turqia është partner i çmuar dhe Shqipëria është e hapur për të bashkëpunuar jo vetëm me Turqinë por edhe vende të tjera”, tha Bushati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat