Aeroporti i Vlorës në Nartë/ Komisioni Europian dhe shoqatat mjedisore kundër: Humbet një pasuri

Shqipëria

Aeroporti i Vlorës në Nartë/ Komisioni Europian dhe shoqatat mjedisore kundër: Humbet një pasuri

Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 19:52
Foto ilustruese

Aeroporti i Vlorës, projekt i planifikuar të realizohet në zonën e Vjosë Nartës, që po përmendet shpesh së fundmi nga kryeministri Edi Rama, po kundërshtohet nga 37 organizata mjedisore në Shqipëri, rajon dhe Europë.

Ndryshe nga deklaratat e zyrtarëve të qeverisë që shohin tek projekti i aeroportit një investim në infrastrukturë që do të sjellë zhvillim ekonomik, organizatat mjedisore shqetësohen mbi ndikimin që ky projekt do të ketë në një mjedis të mbrojtur.

Aleksandër Trajçe, Drejtuesi i Shoqatës për Mbrojtjen e Mjedisit, tha për ABC se ky projekt është kryer pa ekspertizën e duhur.

“Lë shumë për të dëshiruar në asketin teknik dhe sidomos në aspektin mjedisor”, thotë ai.

Po ashtu është në shkelje të ligjeve të vendit dhe jo vetëm.

“Investime që tjetërsojnë ekosistemin në një shkallë të atillë që nuk rikuperohet natyra janë të ndaluara”, thekson Trajçe.

Një rrezik tjetër potencial që parashtrohet prej aktivistëve është ai i sigurisë së fluturimeve ajrore, si pasojë e aksidenteve që mund të shkaktohen nga numri i madh i zogjve dhe shpendëve në këtë zone, me avionët që do të ngrihen në të ardhmen, nëse aeroporti ndërtohet.

Komisioni Europian ne raportin e fundit për Shqipërinë ka bërë të qartë se ndërtimi i aeroportit në zonën e planifikuar bie ndesh me konventat që Shqipëria ka nënshkruar, e si e tillë rrezikon integrimin në BE.

Vetë kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook më 25 prill 2020, i gëzohej Lagunës së Nartës si një nga mrekullitë e rralla që ka Shqipëria, por shoqatat e mjedisit theksojnë se me ndërtimin e aeroportit kjo mrekulli nuk do të ekzistojë më.

“Sjell vetëm përfitim për disa individë dhe jo për komunitetin që kanë investuar”, thotë Trajçe.

Blendi Klosi nga Vlora tha se ndërtimi i aeroportit nuk prek lagunën por në gjurmën e masterplanit, shtrihet në brendësi të saj.

Mbetet e paqartë se përse është zgjedhur pikërisht një zonë e mbrojtur për ndërtimin e aeroportit, por gjasat janë që qeveria në këtë mënyrë eviton dhënien e dëmshpërblimit që do t’i duhej të jepte nëse do të ndërtonte në pronë private.

Sipas shoqatave mjedisore, Shqipëria nuk ka as edhe një arsye përse të humbasë një pasuri natyrore kaq të larmishme në bregdetin e Adriatikut. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat