''Ende s'ka konfirmim për mutacione të COVID në Shqipëri'', Andi Koraqi flet për situatën epidemiologjike

Shqipëria

''Ende s'ka konfirmim për mutacione të COVID në Shqipëri'', Andi Koraqi flet për situatën epidemiologjike

Më: 1 mars 2021 Në ora: 07:50
Andi Koraqi

Shefi i Laboratorit të Mikrobiologjisë në QSUT, njëkohësisht dhe anëtar i Komitetit Teknik të Ekspertëve, Andi Koraqi u shpreh në Euronews Albania se ende nuk ka një konfirmim nga laboratorët jashtë vendit për prezencën e mutacioneve të reja të COVID-19 në Shqipëri.

Në fjalën e tij, ai theksoi se pritet konfirmimi i laboratorëve të specializuar të Anglisë dhe shtoi se duke parë se në çdo vend të rajonit ka mutacione, nuk përjashtohet mundësia e ekzistencës së tyre në Shqipëri.

Sa i përket numrit të lartë të fataliteteve të ditëve të fundit, ai tha se numri i lartë i të infektuarve normalisht që sjell dhe numër të lartë të vdekjeve.

Zoti Koraqi nuk dha një datë se kur do të mblidhet sërish Komitetit i Eksperteve për të komunikuar masat e reja.

“Mesa di unë do të bëhet një mbledhje, por nuk e di ekzaktësisht”, u shpreh ai.

Ai tha se masat anti-COVID duhet të respektohen nga qytetarët dhe njëkohësisht duhet të ketë kontrolle nga institucionet.

“Janë qytetarët që duhet të zbatojnë masat për parandalimin e virusit. Në radhë të dytë janë institucionet kontrolluese që duhet të shikojnë nëse zbatohen rregullat nëpër lokale. Nuk është detyrë e Komitetit Teknik dhe specialistëve që të shohin respektimin e masave”, tha ai.

“Komiteti është institucion që këshillon, pastaj vendimet i merr tjetër kush”, përfundoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat