‘Beteja fiskale PD-PS’, Bozdo: Paratë më të mira, paratë në duart e privatit

Shqipëria

‘Beteja fiskale PD-PS’, Bozdo: Paratë më të mira, paratë në duart e privatit

Më: 5 mars 2021 Në ora: 22:44
Eno Bozdo

Beteja fiskale PD-PS ishte tema e debatit puntatën e sotme të emisionit “Ekopolitikë” në RTV Ora.

Mes të ftuarve të gazetarit Fatos Çoçoli ishte edhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Eno Bozdo.

Sipas Bozdos, me sistemin aktual fiskal, të ardhurat në buxhetin e shtetit janë më të mëdha, por për të djathtën paratë më të mira janë paratë në duart e privatit.

“Është e vërtetë që regjimi i sotëm fiskal çon më shumë të ardhura në arkat e shtetit. Këtë nuk e diskuton njeri. Përsa kohë taksat janë në këtë nivel që janë dhe përsa kohë ne propozojmë gati përgjysmim të tyre është e kuptueshme që në buxhet të shtetit do të hynë më shumë të ardhura. Në fund të ditës, kjo është edhe diferenca shumë e madhe mes të majtës dhe të djathtës.

Në princip, në filozofi e djathta gjithmonë beson që paratë më të mira janë paratë në duart e privatit sepse ai e di ku ti investojë, sa vende pune të krijojë dhe çdo para e tepërt në duart e qeverisë, përveç atyre që janë të domosdoshme që shteti të funksionojë dhe shërbimet të ofrohen, është para që tenton dhe çon në korrupsion.

Thelbi nuk është që ne të llogarisim: shteti merr më pak apo privati merr më shumë. Privati do të marrë më shumë dhe shteti do të marrë më pak. I gjithë thelbi është, në këto kushte ekonomike dhe sociale ku është Shqipëria, këto para ku duhet të jenë? Në xhepat e shtetit apo në xhepat e privatit?“, tha ndër të tjera Eno Bozdo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat