Rritet niveli i kredive të këqija në Shqipëri

Shqipëria

Rritet niveli i kredive të këqija në Shqipëri

Më: 11 mars 2021 Në ora: 08:53
Foto Ilustrim

Ashtu siç ishte paralajmëruar, kreditë me probleme janë rritur lehtë gjatë muajit janar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kreditë e këqija arritën në 8.2 për qind, një nivel pranë minimumeve historike të dekadës së fundit.

Me gjithë rritjen e lehtë, sërish norma e huave me problem stoku i të cilave ka arritur në 49 miliardë lekë [40 milionë euro] paraqitet e qëndrueshme.

Kjo për shkak të moratoriumit që ndërmori Banka Qendrore për shtyrjen e kësteve të kredive për një periudhë 6-mujore për qytetarët dhe bizneset më të prekura nga kriza, ku përfituan rreth 25 mijë huamarrës teksa vlera e kredive të ristrukturuara arriti në 2 miliardë euro.

Po ashtu, pak kohë më parë Banka e Shqipërisë vendosi të shtyjë sërish deri më 31 mars edhe masat lehtësuese për sistemin bankar duke iu dhënë më shumë kohë kredimarrësve debitorë për shlyerjen e huave.

Por, me mbarimin e efekteve të këtyre masave rregullatore lehtësuese të marra në kuadër të zbutjes së pasojave të pandemisë, banka qendrore pret që norma e kredive të këqija të pësojë sërish rritje në vijim.

Edhe pse aktiviteti ekonomik ka shfaqur tendenca rikuperimi në muajt e parë të vitit, rreziqet e pandemisë COVID-19 janë ende prezente dhe vijojnë të ushtrojnë presion në buxhetet e qytetarëve dhe duke krijuar vështirësi te bizneset, çka mund të ndikojë në aftësinë paguese të tyre. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat