Qasja ndaj vaksinave lindore, si ndryshoi qëndrim Rama duke ndjekur modelin serb

Shqipëria

Qasja ndaj vaksinave lindore, si ndryshoi qëndrim Rama duke ndjekur modelin serb

Më: 15 mars 2021 Në ora: 19:56
Edi Rama

Të gjitha pohimet që kishte bërë më parë Edi Rama mbi prejardhjen e vaksinave, u rrëzuan me dy aktet e fundit normative të qeverisë.

Tashmë shteti shqiptar do të jetë i hapur edhe ndaj lindjes duke ndjekur të njëtin model si Serbia, ndonëse me disa muaj vonesë, duke shkelur premtimin se do t’i qëndronte besnik BE-së edhe përsa i takon blerjes së dozave anti-covid.

Qeveria Shqiptare ka ndryshuar qasje ndaj vaksinave ruse dhe kineze. Dy ndryshimet e fundit ligjore të miratuara nga Këshilli i Ministrave parashikojnë heqjen e të gjitha barierave proceduriale që u ngritën në fillim nën argumentin se shqiptarët duhet të marrin vetëm vaksina perëndimore e jo lindore.

Madje kur vetë shteti rus u vetëofrua për t’i mundësuar dozat e nevojshme, reagimi i palës shqiptare ishte i ashpër.

“Mendova që ishte një meme sepse për një shtet serioz është krejtësisht e papërshtatshme që të bëjë provokime të tilla. Të kërkojë falje.”, u shpreh Rama asokohe.

Këtë qasje Edi Rama e mbështetit nën argumentin se Shqipëria do të hapet ndaj vaksinave linore në të njëjtin moment kur ta bëj këtë hap Bashkimi europian, për t’i qëndruar deri në fund Brukselit.

“Nëse Bashkimi Europian do të hapet ndaj vaksinave kineze dhe vaksinave Ruse ne mënjeherë do të rishikojmë këtë qasje. Për sa kohë BE është i mbyllur ndaj këtyre dy opsioneve, ne jemi në të njëjtin pozicion me BE.”, tha ai.

Ndërkohë Serbia, vend që gjithashtu në negociata anëtarësimi me Bashkimin Europian, me mburrje njoftoi se do të përdorte edhe vaksinat ruse e kineze. Ndërsa në Tiranë, Edi Rama fliste për lojë me dy porta të cilën ai nuk ishte i gatshëm ta luante.

“Ne kemi zgjedhur vaksinat e prodhuara në krahun perëndimor sepse ne jemi pjesë e familjes europiane dhe jemi pjesë e familjes europiane pa lojëra me dy porta.”, u shpreh ai.

Ky qëndrim ra tërësisht poshtë javën e shkuar kur me dy akte normative, njëri prej të cilëve kaloi pa u publikuar në faqen e Këshillit të Ministrave, iu hap rruga blerjes dhe përdorimit të këtyre vaksinave që tashmë kanë aprovim të autoritetit vendas ku prodhohen.

Tashmë sytë e Shqipërisë janë nga të katërta anët e globit për të blerë vaksinat anti-covid, ndonëse duket se nuk do t’i duhet të shohë larg. Serbia ka marrë të drejtën e prodhimit të vaksinës kineze dhe ruse dhe vetrina e Kryeministrit për t’i blerë tashmë gjendet në Beograd, ku miqësia me Aleksandër Vuçiç mund ta ndihmojë të hapë qepenin edhe jashtë orarit zyrtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat