Ministri Çuçi shpjegon projektligjin për Gardën e Republikës: Struktura njehsohet me atë të Policisë, ja çfarë ndryshon

Shqipëria

Ministri Çuçi shpjegon projektligjin për Gardën e Republikës: Struktura njehsohet me atë të Policisë, ja çfarë ndryshon

Më: 16 mars 2021 Në ora: 11:12
Blendi Çuçi

Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi shpjegoi sot në Kuvend ndryshimet që parashikohen në projektligjin për Gardën e Republikës. Ndërsa 

Ndërsa ftoi deputetët që të votojnë projektligjin, Çuçi deklaroi se ministri për rendin dhe sigurinë publike ka tashmë kompetenca për organizimin dhe veprimtarinë e saj.

“Disa nga çështjet që dalin në pah në mënyrë veçantë në këtë ligj, janë: Në radhë të parë roli i ministrit përgjegjës, i cili ruan drejtimin strategjik të kësaj njësie, kompetencat dhe detyrimet e tij në raport me ligjin. Tashmë ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, ka kompetenca dhe përgjegjësi specifike, të përcaktuara me ligj dhe akte të tjera ligjore që kanë të bëjnë me funksionimin, organizimin dhe veprimtarinë e Gardës së Republikës”, u shpreh Çuçi.

“Tashmë, me këtë nismë, struktura e gardës, njësohet në disa aspekte kyçe me atë të Policisë së Shtetit dhe SHÇBA-së, qoftë për sa i përket statusit ligjor, ashtu edhe sistemit të gradave, trajtimit etj”, shton ministri i Brendshëm.

Pjesë nga fjalimi i Çuçit

Disa nga çështjet që dalin në pah në mënyrë veçantë në këtë ligj, janë:

Në radhë të parë roli i ministrit përgjegjës, i cili ruan drejtimin strategjik të kësaj njësie, kompetencat dhe detyrimet e tij në raport me ligjin. Tashmë ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, ka kompetenca dhe përgjegjësi specifike, të përcaktuara me ligj dhe akte të tjera ligjore që kanë të bëjnë me funksionimin, organizimin dhe veprimtarinë e Gardës së Republikës.

Së dyti, trajtimi i Personelit. Është detajuar në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse, trajtimi i punonjësve të Gardës, i cili në krahasim me ligjin e vjetër, ka përmirësime të ndjeshme.

Një risi e ligjit është detajimi i mirëtrajtimit që bëhet për punonjëset femra nër radhët e Gardës, por njëherësh ka përmirësime për të gjithë strukturën, qoftë për pjesën e trajtimit financiar, për lejet, për pensionet etj.

Njësimi dhe ekuivalentimi i gradave me ato të Policisë së Shtetit, është një pjesë tjetër e rëndësishme që parashikon ky ligj. Tashmë çdo punonjës i Gardës, që gëzon një gradë, të përcaktuar nga tradita ushtarake e kësaj njësie, do të rimarrë një gradë të re, të natyrës civile, krejt të ngjashme me gradat e policisë dhe SHÇBA-së. Me këtë ndryshim, të tre institucionet kryesore në varësi të Ministrisë së Brendshme, që kanë detyra specifike për sigurinë dhe rendin publik, do të kenë të njëjtin sistem gradash, ç’ka nënkupton edhe të njëjtin sistem karriere dhe promovimi. Duke futur këtë sistem gradash, shmanget një ngërç i mundshëm që rrjedh nga kjo mospërputhje mes strukturash që kryejnë detyra që i përkasin sigurisë së vendit dhe varen nga i njëjti institucion, e në këtë rast, nga Ministri i Brendshëm.

Së fundmi, ruajtja e strukturave aktuale, një aspekt tjetër i ligjit të ri është që ky nuk do të sjellë efekte financiare, ndërkaq, asnjë ndryshim nuk do të ndodhë me efektivin aktual të Gardës, përveç emërtesës së funksioneve dhe ri-emërtimit të gradave. Punonjësit që janë aktualisht në këtë strukturë, do të vijojnë në të njëjtat detyra dhe nuk do të ketë ndryshime as të numrave, për shkak të këtij ligji.

Ligji i ri ka përcaktuar në mënyrë të detajuar procesin e ri-emërtimit të gradave dhe gjithashtu edhe procedurat e ecurisë në gradë apo fitimit të një grade më të lartë.

Të nderuar deputetë,

Ne kemi bindjen se me ligjin e ri, plotësohet kuadri ligjor për strukturat e sigurisë në varësi të Ministrit të Brendshëm, gjë që sjell natyrshëm një mundësi për karrierë dhe avantazhe për çdo punonjës që tashmë bën pjesë në një nga tre strukturat e lartpërmendura.

Reforma në Policinë e Shtetit, ajo e SHÇBA-së, për të cilin kemi një diskutim në komisionet projektligjin përkatës, besojmë se do të përmirësojmë rrënjësisht imazhin e këtyre strukturave dhe do të vendosë bazat për mirëfunksionimin e tyre në një shtrat thellësisht ligjor.

Duke e mbyllur, ju ftojmë që ta votoni dhe miratoni këtë projektligj për Gardën e Republikës, së bashkume disa sugjerime të vlefshme të bëra në Komisionin e Sigurisë për të cilat kemi rënë tashmë dakord.

Faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat