Meta i shqetësuar nga raporti i fundit i OKB: Shqipëria kryesoi me emigracionin edhe në vitin e pandemisë

Shqipëria

Meta i shqetësuar nga raporti i fundit i OKB: Shqipëria kryesoi me emigracionin edhe në vitin e pandemisë

Më: 16 mars 2021 Në ora: 14:44
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta ka ngritur zërin me forcë sot përsëri për atë që ai e konsideron si dramën më të madhe që po përjeton vendi: Shpopullimin. Meta ka paraqitur shifrat tronditëse të raportit më të fundit të OKB, ku shqiptarët vazhdojnë të regjistrojnë largimet më të masive në emigracion edhe në vitin e mbylljes së madhe prej pandemisë.

“Shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit, - ka theksuar Meta. - Një tjetër raport, kësaj here i Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara, bën me dije se Shqipëria kryeson listën e vendeve, që kanë përjetuar rritjen më të madhe të emigracionit në vitin 2020, pavarësisht situatës së pandemisë.

Sipas këtyre konkluzioneve mesatarja e të larguarve në vitin 2020 ishte mbi 550 qytetarë për 100 mijë banorë, një tendencë dukshëm në rritje në krahasim me vitin 2015 kur treguesi ishte rreth 350 emigrantë për 100 mijë banorë.

Ndaj duhen shumëfishuar përpjekjet e të gjithë aktorëve jo vetëm për t’i thënë ndal shpopullimit, por për programe konkrete e realiste, që u krijojnë mundësi më të mira qytetarëve e sidomos të rinjve.

Të bëjmë gjithçka, që shqiponjat të qëndrojnë dhe të kthehen në folenë e tyre dhe Shqipëria të ngrihet lart, atje ku e meritojnë ëndrrat dhe sakrificat e shqiptarëve. “

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat