Heroi i tregjedisë tek “Casa Italia”, 33-vjeçari shpëtoi kolegët, por s’mundi të dalë vetë

Shqipëria

Heroi i tregjedisë tek “Casa Italia”, 33-vjeçari shpëtoi kolegët, por s’mundi të dalë vetë

Më: 26 mars 2021 Në ora: 16:42
Arjan Sala

Magazina pranë “Casa Italia-s” në Tiranë është ende nën flakë. Në ditën e tretë të regjistrimit të vatrës së zjarrit, zjarrfikësit ende nuk kanë vënë nën kontroll flakët, ndërsa kërkimet vijojnë për rojën e sigurisë, 33-vjeçarin Arjan Sala. Familjaret e këtij të fundit, me ankth presin një lajm nga i afërmi i tyre, ndërsa nuk kursejnë kritikat për punën e forcave zjarrfikëse.

33-vjeçari, Arjan Sala në tentativë për të shpëtuar kolegët e tij nuk mundi të dalë nga magazina e Casa Italias e cila prej 3 ditësh vijon të jetë e pushtuar nga flakët. I riu, baba i një fëmije 2 vjeç, ishte nisur të mërkurën si çdo ditë në vendin e tij të punës ku ishte pjesë prej rreth 3 vitesh. Në momentet e para sapo biznesi privat do të përfshihej nga flakët ndryshe nga personat e tjerë që vrapuan për tu larguar, 33-vjeçari kishte nxituar drejt katit nëntokësor, ku ndodheshin kolegët e tij.

Sot ata jashtë kamerave tregojnë se Arjani mundi të nxirrte nga magazina 7 punonjës të tjerë sigurie. Teksa kanë kaluar 3 ditë nga regjistrimi i asaj vatre, të afërm e familjarë vijojnë të presin nën ankth ndonjë lajm për fatin e 33-vjeçarit ndërsa nuk lënë pa kritikuar punën e zjarrfikësve.

Familjarët e Arjan Salës kanë shprehur pakënaqësi në lidhje me shërbimin zjarrfikës, duke vënë në pah mangësitë e tyre në pajisje dhe duke theksuar se nëse shërbimi zjarrfikës do të ishte më i përgatitur, atëherë 33-vjeçari do të kishte shpëtuar që natën e parë të zjarrit.

“Një veshje anti-zjarr nuk e kishin ato njerëz atë natë, një bombol me kabull që duron deri në 300 gradë nuk e kishin, se erdhën dje në tre të natës se unë këtu kam ndenjur. A nuk është gjynah se ndoshta çuni sot do të ishte gjallë, sepse vatra e zjarrit nuk ka marrë ato përmasa atë natë që çuni ishte brenda”, u shpreh familjari.

Komandanti i zjarrfikësve, pavarësisht se në një rol drejtues aprovoi vërejtjet e familjarit të Arjan Salës duke shtuar se shërbimi zjarrfikës ka nevojë për pajisje dhe mjete më bashkëkohore.

“Pavarësisht se unë jam në rol drejtues, jam palë me ty. Shërbimi zjarrfikës ka nevojë të kompletohet me pajisje, me mjete të modernizuara siç kanë vendet bashkëkohore”, u shpreh punonjësi i shërbimit zjarrfikës.

Në këtë operacion të vështirë, fundi i të cilit ende nuk dihet, krahas zjarrfikësve janë bashkuar edhe forcat e shërbimit ndaj zjarrit të aeroportit të Rinasit që në mënyrë vullnetare, krahas fikjes së zjarrit po kërkojnë dhe trupin e 33-vjeçarit që padyshim mund të konsiderohet hero i kësaj ngjarje të rëndë.

“Kemi ardhur me ekipe nga aeroporti i Rinasit, me 16 çuna me disa pajisje për të ndihmuar në aksidentin që ka ndodhur në këtë ndërtesë. Pajisja që kemi sjellë është një pajisje që mundëson frymëmarrje pa cilindra në shpinë. Ajo i jep mundësi zjarrfikësve të kenë duart e lira për të fikur zjarrin”, konfirmoi Adem Statovci, shefi i shërbimit zjarrfikës pranë aeroportit të Rinasit.

Prej tre ditësh forcat zjarrfikëse vijojnë punën për shuarjen e flakëve në magazinën e qendrës tregtare “CASA ITALIA”. Ndonëse është ndërhyrë edhe në prishjen e një pjese të fasadës se magazinës me mjete të tonazhit të rëndë, situata vijon të mbetet problematike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat