Balluku: Po merren të gjitha masat për të bërë të mundur rifillimin shumë shpejt të fluturimeve në Rinas

Shqipëria

Balluku: Po merren të gjitha masat për të bërë të mundur rifillimin shumë shpejt të fluturimeve në Rinas

Më: 8 prill 2021 Në ora: 08:21
Foto ilustrim

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku deklaroi sot se qeveria po merr të gjitha masat për të bërë të mundur rifillimin e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar ”Nënë Tereza”, pasi disa nga kontrollorët e trafikut ajror deklaruan paaftësi të përkohshme.

“Ne kemi ngritur një task forcë, kemi kontaktuar disa nga bashkëpunëtorët tanë kyç, kam lajmëruar dhe aleatët kështu që do marrim masat, por më falni nuk mund ta ndaj me ju ende”, tha Balluku.

Gjithsesi ministrja tha se presim një reflektim nga ana e kontrollorëve.

Balluku gjatë një interviste në medie tha se kontrollorëve nuk u është kërkuar dorëheqja, ashtu sikundër është pretenduar prej tyre, por se u është kërkuar një ballafaqim më 12 prill për të sqaruar situatën, pasi dy kontrollorë kanë paraqitur deklaratat edhe për 36 kontrollorë të tjerë për paaftësi për të kryer detyrën.

Balluku tha se vendimi për uljen e pagave të kontrollorëve ka ardhur për shkak të pasojave të ardhura nga pandemia COVID-19.

Ministrja sqaroi se AlbControll mund të investojë të ardhurat e veta edhe në aeroportet e tjera në vend, si ai i Kukësit apo Vlorës, por bëri të ditur ajo, kjo nuk ka ndodhur.

“Në vitin 2020 nuk është investuar asnjë qindarkë në aviacion, pasi nuk ka pasur para, pasi përdoruesit e hapësirë janë ata që kontribuojnë me para. Kurrë shteti shqiptar nuk i ka dhënë një qindarkë AlbControl-it për funksionim, pasi ky është dhe parimi i aderimit tonë, shtetet qëndrojnë larg navigimit ajror. Navigimi ajror automenaxhohet. Kontrollorët janë pritur disa herë dhe janë ulur me drejtuesit e institucionit të tyre. Ideja që qenkan ulur më 16 mars me kërkesë të ambasadës amerikane është një gënjeshtër e madhe dhe unë i kërkoj ndjesë në emër të shtetit ambasadës amerikane se nuk kanë ndërhyrë asnjëherë. Ka një material të mirëfilltë që ka qarkulluar në media, askush nuk iu ka thënë se do të largoheni nga puna. Fatmirësisht drejtoria e ka regjistruar në audio dhe personat prezent në mbledhje kanë qenë në dijeni dhe më pas iu janë shpërndarë me e-mail. Këtu është hapur një çështje civile nga ana e kontrollorëve ajror. Këtu është një grup që konteston një ndryshim që ka ardhur për shkak të pandemisë dhe jo se kishim qejf ne”, tha ministrja Balluku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat