Qendra e VV-së në Shqipëri: Të ndalet zaptimi i lumenjve, të lirohen protestuesit

Shqipëria

Qendra e VV-së në Shqipëri: Të ndalet zaptimi i lumenjve, të lirohen protestuesit

Më: 11 prill 2021 Në ora: 15:19
Pamje nga protesta

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka bërë të ditur se sot banorët e fshatrave Thirrë e Sang të Mirditës mbajtën një protestë qytetare, “kundër zaptimit të Lumit të Thirrës prej hidrocentraleve të vogla private, të cilat po shkatërrojnë mjedisin dhe ekosistemet në Shqipëri”.

Andaj ky subjekt politik ka bërë thirrje që të ndalet zaptimi i lumenjve dhe të lirohen protestuesit.

“Sot, banorët e fshatrave Thirrë e Sang të Mirditës mbajtën një protestë qytetare, kundër zaptimit të Lumit të Thirrës prej hidrocentraleve të vogla private, të cilat po shkatërrojnë mjedisin dhe ekosistemet në Shqipëri. Uji i cili prej shekujsh ka qenë e mirë publike e natyrore, që është përdorur për tokat e për bagëtitë, e që sigurisht është baza e jetës për florën e faunën vendore, po mbyllet nëpër tuba nga biznesmenë abuzivë me lejen e pushtetit në Tiranë. Kjo politikë që po shkatërron Shqipërinë, nga Valbona e deri në Vjosë, duke prekur edhe Lumin e Thirrës, degë e Lumit Fan, e fshatrat Thirrë e Sang, po rezulton në spastrimin e zonave të tëra prej banorëve. Ky gjest anti-shqiptar që po i zbraz krahinat e Shqipërisë, nuk ka qenë e mundur të bëhet nga asnjë pushtues, me lehtësinë që po bëhet nga pushtetarët tanë”.

“Në këtë protestë paqësore, me ftesën e banorëve të fshatit kanë marrë pjesë edhe disa aktivistë, bashkë me kandidatin e pavarur për Qarkun e Lezhës, Iliaz Shehun. Bashkë me banorët, në mënyrë simbolike ata u ulën për disa minuta në vendin ku mbahej protesta, për të tërhequr vëmendjen e publikut për një kauzë kaq të rëndësishme për të gjithë Shqipërinë. Por, pas përfundimit të protestës, pasi janë nisur me automjete drejt Lezhës, policia ka ndaluar disa aktivistë, dhe i ka shoqëruar drejt komisariatit në Lezhë. Ky veprim policor është tërësisht në shkelje të së drejtës të protestës, e cila është e drejtë njerëzore, demokratike e kushtetuese”.

“Kërkojmë urgjentisht lirimin e aktivistëve Sindi Osmani, Agnesa Kastrati, Miranda Marku, Emanuela Kamshi, Martin Paci, Merita Marku, Luigj Vokrri, Abi Shehu, Ester Celami, Fatime Paja, Pjetër Gjergji e të tjerë që janë shoqëruar e që ende nuk kemi konfirmim për emrat. Abuzimi që pushtetarët dhe pushtuesit e etur për fitim të padrejtë po kryejnë ndaj mjedisit, trashëgimisë kulturore, hapësirave publike, pronës së përbashkët, të drejtave qytetare e punëtore dhe vetë demokracisë e shtetit tonë, krijon vazhdimisht shkas për protesta, e shtypja policore e protestave e bën Shqipërinë të hedhë hapa pas në historinë e saj”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat