“Nuk do lejojmë një ndarje të dytë”, Basha miting në Has: Trau i Rrugës së Kombit do të hiqet!

Shqipëria

“Nuk do lejojmë një ndarje të dytë”, Basha miting në Has: Trau i Rrugës së Kombit do të hiqet!

Më: 18 prill 2021 Në ora: 11:39
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas vizitës në Tropojë ndalesën e radhës se mbajti në Has, ku u tha banorëve se “në ditët e para të qeverisë Trau i Rrugës së Kombit do të hiqet”.

Kreudemokrat gjatë fjalës së tij, u shpreh se Hasi ka qenë i ndarë padrejtësisht nga Tirana dhe Prishtina, dhe nuk do të lejojë të ketë një ndarje të dytë me traun e rrugës së Kombit.

Basha theksoi gjithashtu se kryeministri nuk mund të “lajë borxhin e kësaj zone në 8 vite me një fluturim avioni”.

“Faleminderit për shpresën dhe entuziazmin që përcillni të gjithë te ndryshimi që po vjen. Më mbush me emocion ky mëngjes i nisur në Tropojë dhe tani këtu në Has, Hasin e ndarë padrejtësisht. Hasin e dritës në ditët më të errëta të kombit tonë, të dritës së Frank Bardhit. Ndjehem i mrekulluar në mesin e këtij populli fisnik, trim e qëndrestarë. Sikundër ju jam mirënjohës nga zemra, me fjalë që mezi i gjej, për betejën e pandërprerë për liri, demokraci si gjithë Evropa, që nuk e harroj dhe nuk do ta harroj as pas 25 prillit. Më 25 prill, Rama humb, Shqipëria e shqiptarët fitojnë, duke votuar numrin 9. Trau i Rrugës së Kombit do të hiqet. Ne që punuam me mish e me shpirt për ta bashkuar Hasin e ndarë padrejtësisht nga Tirana e Prishtina, ne nuk do të lejojmë një ndarje të dytë. Një popull bujar e fisnik si hasjanët nuk e meriton vafërinë, mungesën e infrastrukturës, të energjisë elektrike. Me votën tuaj ju do të bëni të mundur që të keni një qeveri që punon për ju, jo për vete, një qeveri të të gjithë shqiptarëve, jo të një grushti oligarkësh.

8 vite janë një kohë shumë e gjatë për të provuar një njeri dhe 8 vite Hasi e ka provuar Edi Ramën, sic e ka provuar gjithë Shqipëria. 8 vite dështim, varfëri, shpunësim, emigracion, largim masiv i më të mirëve, i djemve, dritës së syrit të nënave të veta. O i mjerë që mendon se me një ditë dhe një fluturim mund të lash 8 vite borxh ndaj këtyre banorëve, që i fyen në mençurinë e tyre, këtë trevë që mençurinë dhe trimërinë ja kanë dhënë gjithë shqiptarëve.

Nuk ka dhe nuk ka për të pasur amnisti për dështimet 8-vjecare të Edi Ramës, sepse shqiptarët janë bashkuar. Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme, që do të ndajnë njëherë e mirë një pyetje të vetme që shtrohet para gjithë shqiptarëve e Shqipërisë: A do ja hapni dyert dështimit edhe 4 vite të tjera? Apo do bëhemi bashkë për ndryshim, ndryshimin që kërkon çdo shqiptar. Fatin tuaj e keni në dorë vetëm ju, ndaj të gjithë së bashku, demokratë e socialistë, hasjanë e të gjithë bashkë, më 25 prill, votoni për ndryshimin, votoni numrin 9”, tha Basha.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat