Gazetari shqiptar tregon se si pritet të lehtësohen kufizimet në Itali

Shqipëria

Gazetari shqiptar tregon se si pritet të lehtësohen kufizimet në Itali

Më: 7 maj 2021 Në ora: 23:32
Itali

Javën e ardhshme Italia pritet të lehtësojë kufizimet ndaj pandemisë së COVID-19. Gazetari Arbër Agalliu tha për Euronews Albania se qeveria italiane pritet të shtyjë orarin e kufizimit të lëvizjeve deri në orën 23:00 dhe lejimin e festave apo celebrimeve martesore.

“Deri sot shtetrrethimi nis pas orës 22:00, por mund të shtyhet nga data 17 maj në orën 23:00 ose mund të mos vendoset më duke nisur nga data 1 qershor, datë në të cilën mund të hapen dhe aktivitetet në mjedise të mbyllura,” – u shpreh gazetari Arbër Agalliu.

“Synimi kryesor i qeverisë Draghi është rimëkëmbja ekonomike duke lehtësuar lëvizjen dhe duke rihapur turizmin, jo vetëm turizmin e brendshëm, por duke lejuar ardhjen edhe të turistëve të huaj,” – tha më tej gazetari.

Nga data 15 maj do të hiqet karantina e detyrueshme për turistët që kanë një dokument – i quajtur “Green Pass”, – që vërteton nëse janë vaksinuar, nëse kanë kaluar COVID-19 apo nëse janë testuar dhe janë negativë në të paktën 48 orët e fundit.

“Me një Green Pass një turist mund të lëvizë lirshëm në gjithë Italinë,” – u shpreh gazetari Agalliu duke theksuar se mjafton një nga elementët e përshkruar në dokumentin specifik.
Një ditë më parë në Itali u raportua për 11,807 raste të reja me COVID-19 por në të njëjtën kohë vijon edhe procesi i vaksinimit, ku nga data 10 maj, imunizimi do të jetë i hapur për qytetarët mbi 50 vjeç.

Përmes një plani të detajuar që parashikon rihapjen e ekonomisë, Italia synon që nga java e ardhshme të mos ketë më zona të kuqe duke shtuar shpresën për rikthimin drejt një normaliteti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat