E vranë me armë zjarri në qendër të qytetit, çfarë deklaruan familjarët e 45-vjeçarit biznesmen

Shqipëria

E vranë me armë zjarri në qendër të qytetit, çfarë deklaruan familjarët e 45-vjeçarit biznesmen

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 09:58
Çajup Selimi

Qyteti i Tepelenës u trondit mbrëmjen e kaluar nga të shtënat me armë zjarri. Një 45-vjeçar mbeti i vrarë pasi u qëllua me pistoletë në qendër të qytetit.

Çajup Selimi u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ku edhe ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra.

Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 21:15 në lagjen “15 shtatori” të qytetit jugor.

Policia Lokale tha se kishte ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit për të bërë të mundur kapjen e autorit/ve të dyshuar, duke shtuar se nuk i kishte identifikuar ende.

VIKTIMA

Çajup Selimi rezulton pronar i një biznesi në qytetin e Tepelenës. Në vitin 2018, ai ishte konfliktuar me dy persona, të cilët e goditën me sende të forta. Vetë Selimi tha në atë kohë se ishte sulmuar me grushte dhe me leva hekuri dhe se ishte kërcënuar me thikë, duke shtuar se nuk i dinte arsyet.

Ai tha se ishte sulmuar nga dy persona, por më vonë u arrestua një prej tyre. Në pranga përfundoi Risiano Abedini, po nga Tepelena. Familja e viktimës deklaronte se 45-vjeçari kishte konflikte për shkak të konkurrencës.

Dy familjet kishin biznes me të njëjtin profil dhe kjo kishte shërbyer si shkak për konflikte të vazhdueshme të tyre. Familjarët deklaruan se ai ishte sulmuar edhe 4 herë të tjera. Familja Selimi dhe Abedini menaxhojnë biznese me profil të ngjashëm.

HETIMET

Ende nuk dihet nëse vrasja e 45-vjeçarit Çajup Selimi lidhet me çështjet e konkurrencës.

Policia lokale tha se kishte nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen e rëndë. Forcat e Policisë Lokale dhe Forcat Shqiponja të Gjirokastrës nisën krehjen e zonës për të kapur autorin e krimit.

Ndërkohë, në hyrje dhe dalje të qytetit të Tepelenës u ngritën disa pika kontrolli në përpjekje për të arrestuar autorin. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë shkoi në vendin e ngjarjes për të kryer hetimet me qëllim zbardhjen e krimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat