Po tentonin të mbillnin kanabis në tokat e tyre, përfundojnë në pranga dy gra

Shqipëria

Po tentonin të mbillnin kanabis në tokat e tyre, përfundojnë në pranga dy gra

Më: 27 qershor 2021 Në ora: 11:58
Foto ilustrim

Zakonisht policia arreston burra që kultivojnë drogë apo që dyshohen se janë autorë të veprave penale që kanë lidhje me drogat.

Por nuk është ky rasti në Kurbin, ku policia vijon kontrollet në territor, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë këtij operacioni, policia ka bërë të mundur ndalimin e dy grave, të cilat janë kapur teksa tentonin të kultivonin kanabis.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Policisë Kurbin, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, kanë evidentuar dhe goditur 2 raste të tentativës për kultivim të kanabisit, në Milot, Kurbin.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetaset: F. K., 52 vjeçe dhe V. I., 52 vjeçe, banuese në Milot, Kurbin.

Arrestimi i tyre u bë pasi janë kapur në kushtet e flagrancës, duke tentuar të kultivojnë bimë narkotike cannabis sativa në pjesën e pasme të banesave, në tokat në pronësi të tyre, në fshatin Milot, Kurbin.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat