Në rrugë dhe i dëbuar nga familja/ I moshuari nga Durrësi kërkon strehim në shtëpitë e të moshuarve

Shqipëria

Në rrugë dhe i dëbuar nga familja/ I moshuari nga Durrësi kërkon strehim në shtëpitë e të moshuarve

Më: 3 korrik 2021 Në ora: 20:03
Kadri Çili

Kadri Çili, është babai I 4 vajzave dhe 1 djali, që jeton rrugëve.

Pasi bashkëshortja e të moshuarit ndërroi jetë, Kadriu shkoi të jetonte me njerën nga vajzat e tij, por ishte dhëndri ai që e dëboi nga shtëpia. Për 5 vjet Kadriu qëndroi në shtëpinë e të moshuarve të Poliçani. Por edhe nga këtu u dëbua, me pretendimin se u konfliktua me një banor të azilit.

Pyetje: Ku ke qëndruar gjithë këto vite?

Çili: Qëndrova këtu afër në Peshtan tek çupa, më mbajti ajo, por s’më dontë dhëndria. Ika nuk kisha ç’të bëja.

Kadriu as vetë nuk e di se sa vite ka që endet rrugëve për të kërkuar një streh. Sot ai ka ardhur nga Durrësi për tu strehuar përsëri tek shtëpia e të moshuarve, por ky institucion i mbylli derën duke mos i dhënë asnjë ndihmë babait të braktisur.

Pyetje: Sa fëmijë ke?

Çili: 5 kam, djalin andej nga Greqia. 2 vajza kam mbi 2 vjet që nuk i shoh fare. Në Shqipëri i kam të gjitha çupat.

88 vjeçari edhe pse është i sëmurë, kurrë nuk është kuruar, pasi 8 mijë lekëshi i pensionit nuk i del për të siguruar ushqimin.

Pyetje: Si ushqehesh?

Çili: Po pata para do të shkoj në dyqan, se ndryshe nuk të jep njeri. Ja me atë pension 8 mijë lekë. Nuk blej ilaçet dhe marr bukë. Kërkoj ndihmë nga shteti. Ose të më strehojë, ose të më helmojë dhe të vdes, nuk qëndroj dot kështu.

Kadriu thotë se vajzat e tij janë të varfra dhe nuk kanë mundësi ta mbajnë atë në shtëpi. Ndërsa djali i vetëm i Kadriut, që kur ka ikur në Greqi kurrë nuk është interesuar për babanë e tij. Ky është fati i një babai të harruar nga fëmijët dhe institucionet shtetërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat