Zbardhen detaje nga kontrolli i policisë në shtëpinë e Adriatik Llallës/ Sipas TIMS ish-kryeprokurori rezulton jashtë Shqipërisë

Shqipëria

Zbardhen detaje nga kontrolli i policisë në shtëpinë e Adriatik Llallës/ Sipas TIMS ish-kryeprokurori rezulton jashtë Shqipërisë

Më: 23 shtator 2021 Në ora: 09:51
Adriatik Llalla

Ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla nuk gjendet në banesë. Policia ka kontrolluar shtëpinë e tij në Tiranë dhe nuk kanë mundur dot ta arrestojnë.

Forca të shumta Policie dhe media u mblodhën rreth banesës, teksa uniformat blu pasi u larguan nuk dhanë prononcim për mediat. Dje, zyrtarisht Llalla është i dënuar me 2 vite burg dhe konfiskim pasurie, për mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë. Ndërkohë, kohët e fundit, duket se ish-kryeprokurori ka ikur nga Shqipëria me destinacion që ende nuk dihet me saktësi, edhe pse disa burime thonë që ndodhet për mjekim në Gjermani. Policia do të vijojë të kërkojë për Llallën për ta arrestuar ish-kryeprokurorin që nuk dihet tashmë ku është.

VERIFIKIMI

Pranë banesës së ish-kryeprokurorit, u panë mbrëmë forca të shumta Policisë, por ish-kryeprokurori Adriatik Llalla nuk ndodhej në shtëpi. Pas procedurave, forcat e Policisë u larguan nga banesa e Llallës, ndërkohë që mësohet se kërkimi për të do të vijojë në forma të tjera, deri te shpallja në kërkim ndërkombëtar. Edhe më herët u raportua se Llalla mund të jetë larguar jashtë Shqipërisë, dyshimet janë për në Gjermani, por ende nuk dihet. Adriatik Llalla u dënua dje nga Apeli i GJKKO-së me dy vite burg dhe konfiskim të pasurive, duke lënë në fuqi vendimin e shkalles se parë.

Llalla u shpall fajtor dhe u dënua me dy vite burg për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Po ashtu, ish-kryeprokurorit i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. Në një prononcim për mediat, avokati Sokol Hazizaj bëri me dije se Llalla ndodhet në regjim spitalor, ndërsa e konsideroi vendimin e dënimit si të padrejtë.

GJYKIMI I SHKURTUAR

Në mesin e muajit Prill, procesi gjyqësor ndaj Adriatik Llallës mori një kthesë, pasi ai hoqi dorë nga gjykimi i shkurtuar, që do t’i lejonte të përfitonte një ulje me një të tretën të dënimit, duke kërkuar zhvillimin normal të procesit në mënyrë që ai të kishte mundësinë e paraqitjes së provave të reja. Por, situata e tij nuk ndryshoi dhe mbeti njësoj e rënduar. Ish-prokurori i Përgjithshëm, por dhe avokati i tij, shmangën komentet pas vendimit të gjykatës.

Ata iu drejtuan Apelit, që dje la në fuqi të njëjtin vendim, i cili automatikisht mori formë të prerë. Llalla u largua nga detyra në përfundim të mandatit në dhjetor të vitit 2017. Pak muaj më pas, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se i kishte ndaluar atij dhe familjes së tij, hyrjen në Shtetet e Bashkuara, duke shpjeguar se Sekretari i atëhershëm i Shtetit Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish-zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.

AVOKATI: DI VETËM QË LLALLA ËSHTË NË SPITAL, DO SHKOJMË NË GJYKATË TË LARTË

Avokati i ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla, Sokol Hazizaj, komentoi vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm për të lënë në fuqi vendimin e dënimit me dy vite burg për ish-Kryeprokurorin. Hazizaj paralajmëroi se do ta çojë deri në Gjykatën e Lartë vendimin, duke e cilësuar atë të padrejtë. Ndonëse gazetarët jashtë dyerve të GJKKO insistuan shumë, avokati Hazizaj nuk pranoi të japë asnjë detaj lidhur me vendndodhjen e ish-Kryeprokurorit Llalla, duke thënë se nuk ka informacion se në cilin spital është shtruar ai.

“Jemi me gjykim të padrejtë. Di që Llalla është në spital, kaq di. Unë jam avokati i tij dhe jam këtu, para jush. Gjykata, edhe e Shkallës së Parë, edhe e Apelit, ka bërë copy-paste të gjitha veprimet procedurale, asgjë tjetër. Do t’i ndjekim të gjitha hallkat, deri në Gjykatën e Lartë. Nuk e di ku ndodhet Llalla, nuk kam komunikim sa i përket anës shëndetësore të ish-Kryeprokurorit, kam komunikim vetëm për anën procedurale”, tha avokati. I pyetur nëse do të dorëzohet Llalla, avokati Hazizaj deklaroi: “Unë isha në Gjykatën e Apelit dhe shtrova të gjitha pretendimet, sa i përket mbrojtjes, më tej është Avokati i Shtetit që merret me ekzekutimet e vendimeve”.

Hetimi pasuror në zbatim të ligjit “Antimafia” Apartamente e sipërfaqe toke, pronat që iu sekuestruan Llallës

Për Adriatik Llallën pati edhe një hetim pasuror, bazuar në ligjin “Antimafia”, sipas të cilit, barra e provës për të dëshmuar se pasuritë e sekuestruara janë të ligjshme, i takonte ish-prokurorit të Përgjithshëm. Atij iu sekuestruan disa pasuri dhe bëhet fjalë për: Një apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës, blerë në vitin 2012; një sipërfaqe toke bujqësore prej 4.500 m², e blerë në vitin 2016; një tjetër sipërfaqe, e llojit tokë arë, prej 12.300 m², ndodhur në Tiranë, e blerë në vitin 2017; një tjetër sipërfaqe toke prej 3 mijë metrash katrorë e blerë po në vitin 2017, si dhe 2250 metra katrorë, po e llojit tokë arë, ndodhur në Tiranë, blerë në të njëjtin vit. Sipas Gjykatës, pasuritë e tij janë rivlerësuar nga 2 deri 16 herë, duke bërë që vlerat e tyre të kapin shifra të larta.

Gjykata u shpreh gjithashtu se ish-kryeprokurori nuk ka justifikuar me burime të ligjshme dhe dy pagesa të bëra, njëra në Gjermani, në vlerën e 7050 eurove për parapagimin e tre muajve qira të një banese ku ai kishte strehuar familjen e tij “për shkak të kërcënimeve që kishte marrë”, si dhe një pagesë prej gati 7700 dollarësh të paguara për lindjen e fëmijës së tretë në Shtetet e Bashkuara. Në maj të këtij viti, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar dënoi sot me 2 vjet burgim dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike, ish-prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla. Paralelisht Gjykata vendosi dhe sekuestrimin e disa pronave të zotit Llalla që deri më tani ishin nën sekuestro. Fillimisht, Llalla, u dyshua për të paktën katër vepra penale, që nga mosdeklarimi i pasurisë, te mosdeklarimi i të hollave në kufi, shpërdorimi i detyrës dhe pastrimi i parave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat