Kushtetuta ndalon riemërimin e anëtarëve të KPK

Shqipëria

Kushtetuta ndalon riemërimin e anëtarëve të KPK

Më: 26 shtator 2021 Në ora: 12:53
KPK

Në fund të vitit 2015, Parlamenti i Shqipërisë, që në atë kohë po shqyrtonte paketën e reformës në drejtësi, ju drejtua Komisionit të Venecias për Opinion mbi draft-ligjin më të rëndësishëm, atë të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (Veting). Në Mars 2016, ekspertët e Komisionit të Venecias i përgjigjen Kuvendit.

Venecia  në atë përgjigje shpreh dakordësinë për miratimin e ligjit të Vetingut për gjyqtarët e prokurorët, por e konsideron atë si “një masë e jashtëzakonshme për situatë të jashtëzakonshme” me korrupsionin.

Por, megjithë dakordësinë “Venecia” ishte e qartë, kur analizoi se “masat e jashtëzakonshme nuk mund të vazhdojnë gjatë”. Venecia shprehet e qartë për një mandat të kufizuar i anëtarëve të trupave të Vetingut.

Në pikën 54 të Opinionit të Venecias, ekspertët e Venezias theksojnë: “Sipas Projekt -Amendamenteve të rishikuara, mandati i anëtarëve të Komisioneve të Pavarura të Kualifikimit (KPK) dhe gjyqtarëve të Dhomës së Kualifikimit të Specializuar (KPA), përgjegjës për procesin e verifikimit do të jetë 9 vjet,pa të drejta e riemërimit…

Kjo kohëzgjatje është shumë e gjatë. …

Strukturat e verifikimit nuk duhet të zëvendësojnë organet e zakonshme kushtetuese, të tilla si KLGJ ose KLP; ato mund të bashkëjetojnë me ta për ca kohë, por nuk duhet të kthehen në mekanizma paralel kuazi-permanent”.

Më tej, në pikën 56 të Opinionit të Marsit 2016, Komisioni i Venecias shprehet: “Do të ishte e pranueshme që të vendoset një afat kohor fiks prej 3-5 vite për ekzistencën e KPK-së dhe Komisionerëve Publikë. …

Pas përfundimit të mandatit të organeve të verifikimit, institucionet e zakonshme dhe gjykatat mund të marrin përsipër çdo funksion të mbetur për të vendosur mbi procedurat e verifikimit, të cilat nuk do të jenë përfunduar”.

Ky qëndrim riktheksohet edhe në Konkluzionet përfubdimtare të Opinionit të Komisionit të Venecias: “Mandati i organeve të verifikimit (KPK dhe Komisionerët Publikë) duhet të reduktohet ndjeshëm në kohë..”, thuhet në një prej pikave kyçe të Opinionit të miratuar në Mars 2016. Meqë KLGJ dhe KLP janë organe të dala nga e njëjta reformë atëherë është e pakuptueshme se pse Rama-Basha hezitojne që të dorëzojnë procesin e rivlerësimit tek KLGJ dhe KLP.

Në teori këto struktura kanë në përbërje magjistratë që kanë kaluar vetingun, pra janë të përbëra nga profesionistët më të kualifikuar të fushës së drejtësisë, më të kualifikuar sigurisht nga anëtarët e KPK. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në 4 vitet e ekzistencës së tij, ka shqyrtuar më pak se gjysmën e trupës prej 800 gjyqtarë/prokurorë, që ishin në detyrë në fillim të procesit të rivlerësimit.

A mos po na thonë që duhet dyfishuar mandati i anëtarëve aktualë të KPK?

Por nëse Kushtetuta ndalon ripërsëritjen e mandatit, zgjatja çfarë është? Nëse për 4 vjet u vetuan vetëm gjysma, kjo do të thotë që KPK i duhen të paktën edhe 4 vjet të tjera që të përmbyllë procesin.

Kur Kushtetuta ndalon shprehimisht riemërimin, ka ndaluar sigurisht edhe çdo zgjatje mandati. Ndryshe me të njëjtën logjikë mund të zgjatet mandati i çdo trupe afati i të cilës buron nga Kushtetuta. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat