Shtohet misteri për vdekjen e turistëve rus/ Nuk u asfiksuan në sauna, u gjetën në pishinën dimërore 

Shqipëria

Shtohet misteri për vdekjen e turistëve rus/ Nuk u asfiksuan në sauna, u gjetën në pishinën dimërore 

Më: 17 tetor 2021 Në ora: 14:53
Familja ruse, prindërit dhe vajza, si dhe i fejuari i saj u gjetën pa jetë natën e së premtes në pishinën dimërore të hotel ”Gloria Palace” në zonën turistike të Qerretit

Ende mister vdekja e katër shtetasve rusë në një hotel në bregdetin e Kavajës.

Burime nga prokuroria e Kavajës thonë se vijojnë hetimet në lidhje me ngjarjen tragjike, ndërsa në trupin e viktimave nuk janë gjetur shenja dhune.

Familja ruse, prindërit dhe vajza, si dhe i fejuari i saj u gjetën pa jetë natën e së premtes në pishinën dimërore të hotel ”Gloria Palace” në zonën turistike të Qerretit. Fillimisht u deklarua se të katërt u gjetën të asfiksuar brenda ambienteve të saunas.

Por trupat e viktimave u gjetën në pishinën dimërore të hotelit, pranë saunës. Turistët rusë kishin kërkuar që ambientet e SPA-së përfshirë dhe pishinën e brendshme të ishin gati që pasi të ktheheshin nga vizita e tyre në Ohër të mund të relaksoheshin në to.

Punonjësi që përgjigjet për pishinën e kishte pastruar gjatë ditës duke përdorur dhe klor, por është shumë e dyshimtë që asfiksia e tyre të ketë ardhur njëkohësisht dhe për të katërt nga përqindja e klorit në ujë.

Në këto rrethana misteri mbi vdekjen e tyre është i madh edhe për grupin hetimor, burime nga i cili thonë se pista më e mundshme është ajo e një vrasjeje pa gjurmë. Ndërkohë në fillim të javës pritet që të dalin rezultatet e autopsisë të cilat do të hedhin më shumë dritë mbi shkakun e vdekjes. Në sitën e grupit hetimor po kalojnë dhe të gjithë personat e akomoduar në hotelin ku ndodhi ngjarja.

Grupi hetimor po bashkëpunon dhe me ambasadën ruse dhe autoritetet përkatëse për të mësuar më shumë mbi viktimat dhe veccanërisht aktivitetin profesional të dy burrave. Grupi hetimor tregohet mjaft i rezervuar për të dhëna në këtë drejtim, ndërsa hetimet po vijojnë dhe paralelisht ka nisur dhe procedura për kthimin e trupave në atdheun e tyre, por pa përcaktuar kohën e saktë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat