Zbardhen detajet si u ekzekutuan dy të rinjtë, mbi 20 plumba drejt “Audit”, atentatorët monitoruan lëvizjet e viktimave

Shqipëria

Zbardhen detajet si u ekzekutuan dy të rinjtë, mbi 20 plumba drejt “Audit”, atentatorët monitoruan lëvizjet e viktimave

Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 08:28
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një tjetër atentat ka tronditur Tiranën. Mbrëmjen e së shtunës në zonën e Astirit është qëlluar me breshëri kallashnikovi ndaj një automjeti tip “Audi A7”, ku si pasojë mbetën të vdekur dy të rinj. Ndaj makinës së viktimave u qëllua nga një automjet në lëvizje. Dyshohet se atentatorët kishin monitoruar lëvizjet e viktimave dhe kanë shfrytëzuar kryqëzimin të unaza e Re në Astir për të qëlluar.

Erigers Mihasi 32 vjeç, i cili drejtonte makinën dhe pasagjer Armand Dumani 26 vjeç, ishin dy personat brenda automjetit “Audi” ndaj të cilëve u krye atentati. Në drejtim të tyre është qëlluar me 20 plumba. Pasi u qëllua me armë, “Audi” i dy të rinjve u përplas me një shtyllë. Pas kontrollit rezultoi se viktimat ishin të paarmatosur dhe as në makinë nuk u gjetën armë. Për sa u përket atentatorëve, skema me sa duket vazhdon të jetë e njëjtë me atentatet e tjera të ndodhura kohët e fundit në vend.

Përdoret makinë me targa të vjedhura, e cila pas atentatit digjet e më pas atentatorët largohen. Policia njoftoi ditën e shtunë se në fshatin Thumanë u gjet i djegur një automjet tip “Toyota”, i dyshuar se është përdorur nga autorët. Brenda automjetit të djegur janë gjetur dy kallashnikovë. “Grupi hetimor ka bërë identifikimin e dy personave që kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri: Drejtuesi i mjetit shtetasi E. M., 32 vjeç dhe pasagjeri shtetasi A. D., 26 vjeç. Ndërkohë në Thumanë është gjetur një automjeti tip "Toyota" duke u djegur dhe dyshohet se është automjeti që kanë përdorur autorët e ngjarjes.

Targat e mjetit të djegur rezultojnë të vjedhura në Tiranë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për dokumentimin e ngjarjes si dhe grumbullimin e provave që çojnë në identifikimin e autorëve të ngjarjes”, njoftoi policia. Nga hetimet paraprake dyshohet se kanë qenë tre persona që kanë marrë pjesë në atentat, një prej të cilëve drejtonte makinën. Nga hetimet paraprake mendohet se kanë qenë vrasës e pagesë. E shkuara e viktimave e lidhur me botën e krimit shihet si pista kryesore e hetimeve. Policia ka shoqëruar disa persona në lidhje me vrasjen.

Kush ishin dy viktimat

Erigers Mihasi, 32-vjeçari baba i 3 fëmijëve, i cili ishte në drejtim të automjetit nuk është një emër i panjohur për autoritetet. Ai njihej si një personazh i lidhur me botën e krimit. Mihasi ishte mik i ngushtë i Ervis Martinaj dhe ish-efektivit të vrarë Santiago Malko. Emri i tij është i përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale. Erigers Mihasi është arrestuar në vitin 2019 si një nga të dyshuarit në vjedhjen e banesës së shtetasit E.Ç. në Tepelenë. Erigers Mihasi është shoqëruar nga policia dhe për ngjarjen e ndodhur në lokalin “Monopol” në ish-Bllok, tetorin e vitit 2019, ku bodigardi i Ervis Martinajt la të vdekur Fabian Gaxhën dhe dy të tjerë të plagosur. Gjithashtu emri i Mihasit bashkë me grupin e Ervis Martinajt janë përmendur edhe si persona të dyshuar në vrasjen e ish-efektivit Xhelal Reçi në fillim të këtij muaji, por jo të akuzuar zyrtarisht. Viktima tjetër, 26-vjeçari Armand Dumani nuk ka pasur precedentë penalë. Dumani ishte duke udhëtuar me mikun e tij, Mihasi. Të dy të rinjtë ishin banues në zonën e Yrshekut në Tiranë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat