Alarmi i FMN: Sistemi tatimor është i komplikuar, shteg për evazion

Shqipëria

Alarmi i FMN: Sistemi tatimor është i komplikuar, shteg për evazion

Më: 19 shkurt 2022 Në ora: 08:28
Foto ilustrim

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka analizuar sistemin fiskal të Shqipërisë, në një raport të asistencës teknike, të hartuar gati dy vite më parë. Raporti i bërë publik jo më larg se dje, e vë theksin te sistemi i komplikuar tatimor që ka vendi me shkallë progresiviteti dhe përjashtime fiskale, të cilat krijojnë shteg për evazion, teksa jep disa rekomandime për thjeshtimin e tij.

Sipas raportit, shkruan “Monitor”, ndërsa Shqipëria ka elementë të një sistemi modern të tatimit mbi të ardhurat, disa veçori për shembull, një taksë progresive mbi të ardhurat personale (TAP), një tatim fitimi për bizneset mbi një prag të caktuar, një taksë e thjeshtuar mbi fitimet, dhe kontributet e Sigurimeve Shoqërore dhe mënyrën ato ndërveprojnë, e bëjnë atë tepër komplekse, duke gjeneruar shtrembërime dhe joneutralitet.

Për shembull, pragjet e shumta fragmentojnë bazat e tatimit mbi të ardhurat dhe normat tatimore të aplikueshme. Rregullat komplekse ofrojnë stimuj dhe mundësi për tatimpaguesit për të minimizuar ose shmangur pagesën. Sistemi aktual ofron stimuj për individët që kryejnë veprimtari ekonomike të profesioneve të lira që të zgjedhin vetëpunësimin (sipas tatimit mbi fitimin e biznesit) në vend të punësimit (sipas TAP).

Krahas këtij mosneutraliteti, sistemi tatimor po lufton me një shkallë të lartë informaliteti, i cili inkurajohet nga kostot e larta të pajtueshmërisë dhe kompleksiteti i tepruar.

Sipas FMN-së, Shqipëria ka nevojë për një sistem tatimor gjithëpërfshirës që mbulon të gjitha grupet e taksapaguesve me rregulla të drejta dhe stimuj të duhur, për t’u siguruar që të gjithë të paguajnë një barrë të drejtë tatimore.

Taksat mbi pronën dhe mjedisin janë burime efikase të ardhurash, të cilat janë të pashfrytëzuara në sistemin tatimor shqiptar. Si taksat e pronës ashtu edhe ato mjedisore bazohen në parimet e duhura, por normat e taksave janë shumë të ulëta dhe gama e gjerë e përjashtimeve i mban të ardhurat nën potencial.

FMN-ja thekon se sistemi aktual i taksave është kompleks dhe i fragmentuar. Përjashtimet dhe trajtimet përfituese për grupe dhe sektorë të ndryshëm tatimpaguesish janë shtuar në vitet e mëparshme si përgjigje ndaj presioneve të grupeve lobuese dhe vështirësive me administrimin, duke dëmtuar stabilitetin dhe transparencën e sistemit.

Një sistem tatimor më i drejtë, më efikas, më i thjeshtë dhe më transparent mund ta bëjë Shqipërinë më tërheqëse për investimet e huaja, duke fuqizuar njëkohësisht aktivitetin e brendshëm ekonomik. Kjo jo vetëm që do ta bënte më të lehtë administrimin dhe zbatimin, por gjithashtu do të vendoste stimujt e duhur ekonomikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat