​Gjobë nga 2 deri në 10 milionë lekë për bizneset që abuzojnë me çmimet në Shqipëri

Shqipëria

​Gjobë nga 2 deri në 10 milionë lekë për bizneset që abuzojnë me çmimet në Shqipëri

Më: 1 prill 2022 Në ora: 12:21
Foto ilustrim

Çmimet e produkteve të shportës në Shqipëri do të monitorohen çdo javë nga Bordi i Transparencës i cili përcakton marzhën e fitimit të bizneseve dhe do të kujdeset që të mos abuzojnë me çmimet e produkteve.

Akti Normativ “Për transparencën dhe monitorimin e çmimeve për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”, i botuar në Fletoren Zyrtare ka hyrë në fuqi dhe sipas tij, tregtuesit që nuk do të mbajnë çmimin e caktuar prej bordit, do ta humbasin të drejtën për të tregtuar, si dhe do t’u konfiskohet malli që kanë në dispozicion.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, subjektet që nuk respektojnë vendimet e marra nga bordi mbi përcaktimin e marzhës së fitimit, do të penalizohen me gjobë nga 2 milionë deri në 10 milionë lekë, raporton atsh.

Sekretariati i Bordit përbëhet nga struktura përgjegjëse për politikat ekonomike dhe fiskale, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, përfaqësues nga strukturat e administratës doganore si dhe gjashtë përfaqësues të subjekteve të përzgjedhura nga shoqatat e biznesit dhe grupet e interesit.

Sipas Aktit Normativ, Bordi ka detyrim të miratojë listën e produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to, për të cilat zbatohet situata e veçantë; të zbatojë metodologjinë e përcaktuar për vendosjen me transparencë të plotë të marzhës të fitimit si dhe të vendosë marzhën e fitimit në bazë të monitorimit të çmimeve për produktet ushqimore bazë dhe produktet e tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg. Gjithashtu ky Bord duhet të njoftojë në mënyrë periodike, sipas vendimeve të Bordit, marzhën e fitimit, të cilat publikohen në Qendrën e Botimeve Zyrtare dhe në një seksion të veçantë në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për ekonominë dhe bujqësinë. Vendimet e marra nga Bordi i fillojnë efektet ditën pasardhëse ose sipas përcaktimit të vendimit të Bordit.

Marzha e fitimit e vendosur nga Bordi është e detyrueshme të zbatohet nga të gjitha subjektet dhe zbatimi i tyre monitorohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet verifikimit të faturave të lëshuara nga subjektet gjatë periudhës së situatës së veçantë të krijuar në treg. Sipas rastit, Bordi mund të vendosë krijimin e një task-force, me përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Të gjitha subjektet, që importojnë dhe/ose prodhojnë produkte, objekt i këtij akti normativ, janë të detyruara të marrin masa dhe të ofrojnë furnizim të pandërprerë, në përputhje me vendimet e Bordit.

Gjithashtu, të gjitha subjektet që tregtojnë produkte me shumicë, objekt i këtij akti normativ, të nevojshme për furnizimin e popullatës, janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave që tregtojnë, për një periudhë 3-mujore ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit, me qëllim përballimin e situatës së veçantë të krijuar në treg.

Produktet e blera, me qëllim furnizimin e popullatës, në rastet kur me përfundimin e situatës së veçantë të krijuar në treg, nuk janë shitur në tregun e lirë, mund t’i shiten Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave.

Mosmarrja e masave, subjektet private përjashtohen nga procedurat e prokurimit publik për një periudhë 3-vjeçare nga Agjencia e Prokurimit Publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat