AMIE propozon Prof.as. Dr. Kimet Fetahun për president të ri të Shqipërisë

Shqipëria

AMIE propozon Prof.as. Dr. Kimet Fetahun për president të ri të Shqipërisë

Më: 4 maj 2022 Në ora: 21:44
Foto ilustrim

Partia e vetme maqedonase në Shqipëri, Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), propozon Prof.as. Dr. Kimet Fetahun për kreun e ri të shtetit shqiptar.

Propozimi i është dorëzuar sot kryetares së Kuvendit, Lindita Nikola, si dhe kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Socialiste, Taulant Balla, të Partisë Demokratike, Enkeld Alibeaj, “Aleanca për Ndryshim”, Fatmir Mediu dhe Mesila Dodës, kryetare e grupit parlamentar “Për Demokraci dhe Integrim”.

- Duke shprehur konsideratën me të lartë per Ju dhe Institucionin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, përmes kësaj letre, partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) si e vetme parti e cila përfaqëson komunitetin maqedonas në Shqipëri, jep kontributin e saj në kuadër të procesit konsultativ për zgjedhjen e Kreut të Shtetit me kandidaturën e Prof.as. Dr. Kimet Fetahu për postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, qëndron në letër.

- Prof.as. Dr. Kimet Fetahu ka lindur më 1955 në fshatin Trebishtë, zona e Gollobordës. Ai është doktor i shkencave, profesor universitar dhe aktivist i komunitetit maqedonas në Shqipëri. Ka kryer studimet universitare në Republikën Popullore të Kinës dhe Shqipëri në fushën e Minierave dhe Pasurimit te Mineraleve. Në karrierën e tij profesionale ka qenë lektor dhe pergjegjes i seksionit te pasurimit te mineraleve si dhe anetar per shume vite i Keshillit Shkencor te Fakultetit te Gjeologjisë dhe Minierave ku edhe sot aktivizohet si lektor, si dhe është i angazhuar në një gamë të gjerë veprimtarish shoqërore, thuhet në shpjegimin e propozimit.

Shtohet se ai është aktiv në organizimin e maqedonasve në Republikën e Shqipërisë, veçanërisht pas rënies së regjimit diktatorial në vitin 1990. Në vitin 1991 formoi organizatën e maqedonasve nga Shqipëria “Bratstvo”, e cila në vitin 1993 u quajt “Mir”, president i së cilës është edhe sot. Ai është edhe drejtor i Qendrës për Studime Etnike në Tiranë, ndërsa në vitin 2001, ka qenë kandidat i pavarur për deputet në Kuvendin e Shqipërisë nga zona e Gollobordës.

- Prof.as.Dr. Kimet Fetahu ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në 30 vitet e fundit në forcimin e statusit dhe të drejtave të komunitetit maqedonas dhe të bashkësive të tjera etnike në shoqërinë tonë multikulturore, shumëgjuhëshe dhe shumëfetare, për zhvillimin e shoqërisë civile, thuhet në vijim.

AMIE thekson se Prof.as. Dr. Kimet Fetahu si kandidat apolitik dhe qytetar luajal të Republikës së Shqipërisë, i plotëson të gjitha kriteret e parashikuara në Kushtetutë, si person me dinjitetin e nevojshëm për të qenë President i Republikës, të jetë garant i Kushtetutës, të drejtat dhe liritë e qytetarëve, zhvillimin e demokracisë, në drejtësinë për të gjithë, për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, në barazinë e të gjithëve para Kushtetutës dhe ligjeve!

Zgjedhja e Prof.as. Dr. Kimet Fetahut për President i Republikës së Shqipërisë nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë do të jetë një nder i madh për vendin tonë, brenda dhe në botë! Mbështetur në integritetin e tij personal dhe profesional, pavarësinë nga politika dhe përkushtimin për zhvillimin e barazisë dhe një shoqërie të barabartë për të gjithë para Kushtetutës dhe ligjeve, kërkojmë mbështetjen Tuaj dhe mbështetjen e grupeve Tuaja parlamentare për kandidaturën e Prof.as.Dr. Kimet Fetahu për President të Republikës së Shqipërisë, thuhet në letrën e partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat