​Meta vlerëson me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” ish-presidentin Nishani

Shqipëria

​Meta vlerëson me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” ish-presidentin Nishani

Më: 1 qershor 2022 Në ora: 18:34
Bujar Nishani

Presidenti Ilir Meta çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën e shtetit shqiptar, ish-presidentin Bujar Nishani (pas vdekjes).

“Në vlerësim të kontributeve të shquara në të gjitha detyrat e larta shtetërore, për forcimin e demokracisë dhe institucioneve, për integrimin euroatlantik dhe evropian të vendit, për mbrojtjen dhe promovimin e interesave kombëtare. Në nderim të integritetit dhe dinjitetit të lartë njerëzor, si model i burrështetasit që punoi me përkushtim dhe përgjegjshmëri në shërbim të atdheut”, thuhet në motivacion.

Nishani ndërroi jetë më 28 maj, pas një gjendje të rëndë shëndetësore në një spital në Gjermani.

Karriera politike e Nishanit lidhet me Partinë Demokratike ku u anëtarësua në vitin 1991. Në vitin 2001 u zgjodh sekretar i degës së Partisë Demokratike Tiranë; në vitin 2003 u zgjodh nga lista e kandidatëve të Partisë Demokratike, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës; në vitin 2005 u zgjidh anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë së PD-së. Në korrik të vitit 2005, Nishani, si kandidat për Partinë Demokratike, u zgjodh deputet në zonën zgjedhore 34 në Tiranë. Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009, ai u zgjodh sërish deputet.

Nga marsi 2007 deri në shtator 2009, Nishani shërbeu si ministër i Brendshëm; nga shtatori 2009 deri në prill 2011 shërbeu si ministër i Drejtësisë dhe më pas, në prill të 2011 ai u emërua sërish në postin e ministrit të Brendshëm, ku qëndroi deri në qershor të vitit 2012, kur u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë në detyrën e Presidentit të Republikës.

Më 24 korrik 2012 Bujar Nishani u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë dhe shërbeu në këtë funksion përgjatë një mandati të plotë deri në vitin 2017.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat