SPAK po e mban larg profesionit, Edvin Prifti: Nuk i prish provat duke operuar qytetarë në zemër

Shqipëria

SPAK po e mban larg profesionit, Edvin Prifti: Nuk i prish provat duke operuar qytetarë në zemër

Më: 24 qershor 2022 Në ora: 18:22
Edvin Prifti

“Për mua si mjek, të më lini jashtë sallës së operacioneve, është njësoj si të më merrni jetën. Nuk kam asnjë mundësi të prish prova, sikurse pretendon prokuroria. Kanë gati dy vite që po me hetojnë dhe kanë pasur kohë të marrin çdo provë. Mjeku nuk mund të prishë prova, duke operuar qytetarët për zemrën”.

Në këtë mënyrë, teksa paraqiti edhe disa prova të reja, ish-shefi i kardiologjisë në qendrën Spitalore Universitare, Edvin Prifti, këmbënguli përpara gjykatës së Apelit të Posaçëm , që kjo e fundit t’i shfuqizonte masën e pezullimit nga ushtrimi i profesionit.

Mbetet ende mister se pse prokuroria dhe Gjykata e posaçme mbajnë dhunshëm jashtë profesionit të tij një nga mjekët më të mirë kardiologë të Shqipërisë, ndërsa ende nuk e kanë provuar fajësinë e tij.

Emri i Priftit doli në përgjimet e SPAK teksa po hetonte një rast korrupsioni në Gjykatën e Krujës, ku në pranga përfundoi ish-gjyqtarja Enkelejda Hoxha e prej asaj kohe, kardiologu po vijon një përballje të ashpër me drejtësinë.

Në sallën e gjyqit, ku kërkon t’i jepet sërish mundësia për të operuar, avokatët e Priftit paraqitën prova të reja, përmes të cilave thanë se rrëzojnë gjetjet e hetimit të prokurorisë.

Në seancë që zgjati më shumë se një orë e gjysmë, avokatët thanë se provat e paraqitura prej tyre, po injorohen qëllimisht nga prokuroria.

Mjeku i specializuar në disa universitete të Perëndimit në fushën e tij dhe me një eksperiencë disa-vjeçare u pezullua për të dytën herë, pasi një çështje të re hetimore të çelur ndaj tij, ku u akuzua nga një qytetar se I kishte marrë një shumë parash për operacionin e nënës.

Dyshimet ishin se mjeku e kishte marrë valvulën në spitalin shtetëror dhe ja kishte vënë pacientes, por nga verifikimet e kryera në QSUT, ka rezultuar se nuk mungonte një e tillë dhe për rrjedhojë thanë avokatët pretendimi I prokurorisë ka rënë.

Megjithatë, gjykata nuk u tërhoq, duke e lënë në fuqi masën e pezullimit për mjekun deri në muajin gusht.

Avokatët thanë se do t’i drejtohen Gjykatës së Lartë, përderisa sipas tyre, SPAK po i zvarrit hetimet qëllimisht, prej dy vitesh.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat