Pushimet ditore po bëhen të papërballueshme, çmimet në plazhet e Lalëzit rritje vjetore me 60%

Shqipëria

Pushimet ditore po bëhen të papërballueshme, çmimet në plazhet e Lalëzit rritje vjetore me 60%

Më: 29 qershor 2022 Në ora: 07:24
Foto ilustrim

Plazhet në zonën e Gjirit të Lalëzit që prej vitesh janë shndërruar në oazin e pushuesve ditor të banorëve të kryeqytetit.

Me infrastrukturë të dedikuar kryesisht për familje mesatare dhe nën këtë nivel, këtë sezon ato janë bërë të papërballueshme.

Përveç naftës çmimet e çadrave dhe shërbimeve të tjera janë rritur së paku me 60% këtë sezon.

Shpenzimet ditore për një person që udhëton nga Tirana me automjetin e tij në një nga plazhet më të lira të Shën-Pjetrit në zonën e Gjirit të Lalëzit arrijnë 3500 Lekë nga 2100 Lekë që ishin vitin e kaluar, nëse merren në konsiderate shpenzimet minimale ( karburanti, çadra, një kafe +ujë).

Për të përshkuar pak më shumë se 80 kilometra nga Tiranë në Lalëz ( vajtje+ardhje) makinë mesatare i duhen rreth 2500 Lekë karburant nga rreth 1500 Lekë një vit më parë. Shpenzimet për naftën janë rritur së paku me 66% në krahasim me vitin e kaluar.

Çmimi një çadre është rritur me 60%, në 800 Lekë në rastin më të mirë nga 500 Lekë që ishte vitin e kaluar. Gjithashtu çmimet janë rritur edhe baret dhe restorantet. Një kafe e shoqëruar me ujë kushton së paku 30% më shtrenjtë se vitin e kaluar.

Kostot e larta të plazheve popullore që frekuentohen nga shtresa mesatare e kryeqytetit, po i kthejnë ata në plazhe “luksi”. Për shkak të çmimeve të larta, frekuentimi i tyre është ulur ndjeshëm.

Administratorët e plazheve pohuan se numri i frekuentuesve në fundjavë ka rënë së paku me 50% për qind, duke i çliruar ato që kanë mundësi të përballojnë kostot, prej trafikut dhe mbipopullimit. Por, sipas tyre rritja ishte e pashmangshme prej rritjes së qirave, lëndëve të para etj.

Popullsia me të ardhura nën mesataren dhe shtresa e pensionistëve e ka të vështirë të përballojë kostot e pushimeve ditore këtë vit.

Sezoni turistik këtë vit ka nisur më shpejt se vitet e tjera për shkak të kohës së favorshme në krahasim me vitet e tjera. Pavarësisht çmimeve më të larta shtetasit e huaj që zgjedhin Shqipërinë për fundjave apo për pushime po rritet.

Sipas të dhënave të INSTAT numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri gjatë pesë mujorit të parë ishte mbi 1.6 milionë persona me rritje vjetore mbi 54%.

Heqja e masave kufizuese për udhëtimet pas pandemisë nga shumica e vendeve ka çuar në rritje të udhëtarëve. Me gjasë të këtë sezon do të konsumohen pushimet e munguara. Por për një pjesë të popullsisë me nivel të ulët ekonomik, plazhet dhe strukturat hoteliere po bëhen të pakapshme. / Monitor

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat