Kishin mbetur në det të hapur me pedalonin që fuste ujë, shpëtohen 7 pushuesit në Shëngjin

Shqipëria

Kishin mbetur në det të hapur me pedalonin që fuste ujë, shpëtohen 7 pushuesit në Shëngjin

Më: 2 korrik 2022 Në ora: 22:35
Foto ilustrim

Policia kufitare e Shëngjinit u erdhi në ndihmë 7 pushuesve që kishin mbetur në det të hapur, me një pedalin në zonën e “Ranës së Hedhun”.

Pushuesit ndodheshin 2 km larg bregut dhe nuk mund të ktheheshin për shkak se mjeti lundrues po fuste ujë.

Shërbimet e Policisë Kufitare Shëngjin pas marrjes së informacionit kanë bërë lokalizimin e pushuesve dhe i kanë transportuar në mjetin lundrues të Policisë Kufitare drejt bregut.

NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË:

Rreth orës 19:40, është telefonuar Salla Operative e Stacionit të Policisë Kufitare Shëngjin, për të kërkuar ndihmë, pasi në det të hapur, në vendin e quajtur “Rana e Hedhun”, kishin mbetur disa shtetas që ishin futur në det me një pedalon, me të cilin nuk po ktheheshin dot në breg.

Menjëherë në ndihmë të tyre, janë nisur shërbimet, me mjetin lundrues të Policisë Kufitare Shëngjin, të cilët kanë konstatuar se rreth 2 milje larg bregut, në det të hapur, ishte një mjet lundrues pedalon, me 7 shtetas në të, që ishte bllokuar në det dhe nuk lëvizte pasi kishte filluar të fuste edhe ujë në brendësi.

Shërbimet e Policisë Kufitare Shëngjin i kanë marrë në mjetin lundrues të Policisë Kufitare, 7 pushuesit, të cilët ishin në gjendje të mirë shëndetësore.

Gjithashtu, është bërë e mundur edhe nxjerrja e pedalonit të tyre, në breg.

Policia Kufitare Shëngjin këshillon të gjithë pushuesit që t’i përdorin mjetet lundruese sipas rregullave të përdorimit të tyre, për të mos rrezikuar jetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat