10 korriku i vitit 1943 ngjarje madhore në historinë e LANÇ

Shqipëria

10 korriku i vitit 1943 ngjarje madhore në historinë e LANÇ

Nga: Albert Z. Zholi Më: 12 korrik 2022 Në ora: 17:40
Albert Z. Zholi

Në historinë e lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, 10 Korriku i vitit 1943, data e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, mbetet një ngjarje madhore për shndërrimin e ushtrisë partizane vullnetare në ushtri të rregullt me një drejtim operativo-strategjik unik nga një shtab qendror. Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazifashistë dhe kolaboracionistët ballisto-zogistë më 29 Nëntor 1944 nga një ushtri e rregullt siç ishte Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare, e cila kishte një Shtab dhe një Komandë të Përgjithshme, që e udhëhoqi nga fitorja në fitore. LANÇ e popullit shqiptar ishte padyshim epopeja më e madhe dhe më e lavdishme në historinë e popullit shqiptar. Ishte LANÇ, që u shndërrua në revolucion mbarëpopullor për çlirimin kombëtar dhe shoqëror, pjesë përbërëse e luftës botërore antifashiste, kundër dy pushtuesve të huaj; Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste, që pushtuan vendin tonë njeri pas tjetrit, si edhe kundër qeverive kuislinge, reaksionit të brendshëm e forcave të tyre të armatosura, të cilat u bashkuan me pushtuesit. Kjo luftë çlirimtare u zhvillua e pa ndërprerë, me intensitet në rritje shkallë-shkallë, nga aksionet e njësiteve guerile në qytet e fshat dhe të çetave partizane në veprime luftarake të reparteve taktike e njësive më të mëdha. Në këto kushte krijimi i Shtabit të Përgjithshëm ishte një përfundim logjik, domosdoshmëri e zhvillimit të luftës së armatosur, kërkesë e kohës për drejtimin e Kryengritjes së Përgjithshme dhe të UNÇSH sipas ligjeve dhe rregullave të Luftës Popullore.

Rëndësia

Krijimi i këtij Shtabi, pati rëndësi të madhe, sepse kishte të bënte me fatet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila me fitoren përfundimtare që korri, më 29 Nëntor 1944, kundër hordhive nazifashiste dhe bashkëpunëtorëve të tyre kolaboracionistë, bëri të mundur mbijetesën e Kombit, fitoren e lirisë e rifitimin e pavarësisë së vendit. Prandaj themi se krijimi i Shtabit të Përgjithshëm ishte një domosdoshmëri e kohës. Sepse ai ndërmori një reformë të jashtëzakonshme në konditat e Luftës: strukturimin e formacioneve partizane në njësi më të mëdha, shndërrimin e UNÇSH në një ushtri të rregullt partizane-vullnetare me drejtim operativo-strategjik unik nga një shtab madhor, që drejtoi me kompetencë e shpirt patriotik Kryengritjen e Përgjithshme të Armatosur dhe vulosi fitoren përfundimtare, çlirimin e plotë të Shqipërisë."

Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë u bë realitet më 10 korrik 1943, por ideja e krijimit ishte hedhur që në Konferencën Historike të Pezës: "Prej luftës dhe në luftë kanë për të dalë dhe shtabet madhore"- thuhej në Rezolucionin e saj. Këshilli i Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, që ndiqte me vëmendje të madhe situatat e brendshme dhe jashtme, politike e ushtarake, e gjykoi me të drejtë tepër të përshtatshëm momentin e krijimit të Shtabit, pasi;

Bashkimi politik e ushtarak i popullit shqiptar rreth Frontit Nacionalçlirimtar, që do të çonte në çlirimin e vendit e që e kishte marrë përsipër PKSH, - tashmë ishte një realitet.

Ushtria Nacionalçlirimtare ishte rritur; ajo përbëhej nga mbi 10.000 luftëtarë të organizuar në 22 batalione dhe në një numër më të madh çetash partizane. 20.000 luftëtarë të tjerë ishin organizuar në çeta e batalione vullnetare, komandat e vendit e në njësite guerile. Por stadi në të cilën ndodhej LANÇ kërkonte shtimin e luftëtarëve, ngritjen e njësive luftarake më të mëdha për përballimin e Kryengritjes së Përgjithshme.

Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm ishte bërë i nevojshëm edhe për shkak të gjendjes ndërkombëtare, pasi LANÇ ishte pjesë përbërëse e Koalicionit të madh Antifashist Botëror. Për këto arsye u mblodh në Labinot të Elbasanit, Mbledhja Përfaqësuese e Këshillit të Përgjithshëm NÇ, që vendosi krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH. Në Shtabin e Përgjithshëm u zgjodhën 12 anëtarë: Spiro Moisiu, Enver Hoxha, Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Dali Ndreu, Mustafa Gjinishi, Sejfulla Malëshova dhe Bedri Spahiu. Komandant i Shtabit të Përgjithshëm u zgjodh Spiro Moisiu, Komisar politik u zgjodh Enver Hoxha.

Në Proklamatën, me anë të së cilës Këshilli i Përgjithshëm NÇ iu drejtua popullit shqiptar thuhet: "Organizimi i Shtabit të Përgjithshëm të fuqive të armatosura nacionalçlirimtare është një ngjarje e madhe dhe një përgjigje flakë për flakë që po i japim armikut".

Krijimi i Shtabit i dha impulse të reja LANÇ.

Ai u kthye në trurin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Tashmë Lufta dhe ushtria drejtohej nga një komandë e vetme: Shtabi i Përgjithshëm. Që në mbledhjen e tij të parë ai përcaktoi strukturën e Shtabit të Përgjithshëm: Shtabin operativ, komisariatin politik, komisariatin ekonomik, seksionin e brendshëm dhe seksionin e shëndetësisë, përpiloi e lëshoi dhe një sërë rregulloresh e urdhrash që kishin të bënin me organizimin e ushtrisë në të gjitha hallkat e saj. Hartoi planin e veprimeve Operative - Strategjike të UNÇ, siguroi në çdo kohë drejtimin e pandërprerë të LANÇ dhe bashkëveprimin e njësive të saj; Urdhëroi në proklamatë: Të goditen parreshtur dhe pamëshirë ushtritë e okupatorit, të priten rrugët dhe të goditen kolonat e armikut… Të jemi kurdoherë në ofensivë…

Krijimi i njësive të mëdha luftarake

Krijimi i njësive të mëdha luftarake nisi me formimin e Brigadës I Sulmuese dhe më pas e brigadave të tjera, rriti në mënyrë të ndjeshme veprimet luftarake kundër pushtuesit nazifashist dhe forcave kuislinge, që bashkëpunonin me pushtuesin.

Me krijimin e Komandës së Përgjithshme të UNÇ me në krye Enver Hoxhën në Kongresin e Përmetit, përsosjen e strukturave organizative të UNÇSH, krijimin e njësive të reja edhe më të mëdha; divizioneve e korparmatave, detyrat e Shtabit të Përgjithshëm u përsosën më tej, sidomos në planizimin, organizimin dhe drejtimin e operacioneve operative-strategjike. UNÇSH, paskëtaj kreu me sukses operacione të shkallës më të lartë, për çlirimin e zonave nga Jugu, në Shqipërinë e Mesme, në Veri të vendit, si dhe jashtë kufijve shtetërorë.

Duke përkujtuar sot këtë event madhor, në 72- vjetorin e tij, Ditën e Krijimit të Shtabit të Përgjithshëm UNÇSH, përulemi me veneracion përpara kujtimit të 28 mijë të rënëve që mbetën yje të pashuar në altarin e lirisë, kujtojmë sakrificat e mëdha që bëri brezi i luftës dhe populli shqiptar, nderojmë me respektin më të lartë ata burra që drejtuan LANÇ, kontributin e madh e patriotizmin e tyre të flaktë, duke i dalë zot vendit në momentet kur ai mund të zhdukej nga faqja e dheut…

Prandaj kjo datë kulmore në Historinë e LANÇ, pavarësisht nga momenti kur çakej të politikës dhe ish-bashkëpunëtorë të nazifashizmit hedhin përditë baltë mbi këtë luftë, 10 Korriku, Dita e Krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, do të përkujtohet e do të festohet brezpasbrezi. . Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm, 79 vjet më parë, përbën një nga ngjarjet më madhore të Historisë së LANÇ. Veteranët e pasardhësit e tyre, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e Luftës, ashtu si çdo vit, edhe këtë 10 Korrik, e përkujtojnë me solemnitet e krenari të ligjshme këtë event të rëndësishëm. Kremtimi e përkujtimi i kësaj ngjarje i bën nder edhe Forcave të Armatosura të sotme, pasi ai e shndërroi ushtrinë partizane në një ushtri të rregullt me disiplinë të çeliktë dhe hodhi bazat e modernizimit të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat