Ngjarja në Gramsh, Peleshi e Çuçi: Një hetim i plotë do të sqarojë situatën

Shqipëria

Ngjarja në Gramsh, Peleshi e Çuçi: Një hetim i plotë do të sqarojë situatën

Më: 22 gusht 2022 Në ora: 19:05
Niko Peleshi dhe Bledi Çuçi

Në Shqipëri, autoritet deklaruan sot se një hetim i plotë do të japë përgjigje të saktë mbi ngjarjen e dy ditëve më parë në ish Uzinën e armve në Gramsh, ku u arrestuan dy shtetasë rusë dhe një ukrainas. Ish Uzina nuk kryente prej kohësh aktivitet ushtarak, dhe konsiderohet objekt i deklasifikuar. Por siç deklaroi ministri i mbrojtjes Niko Peleshi, rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja, kërkojnë që të analizohet çdo skenar i mundshëm 

Mbrëmë, prokuroria e Elbasanit zyrtarizoi arrestimin e tre të huajve, rusë dhe ukrainas të ndaluar në ish Uzinën e Gramshit, duke ngritur mes të tjerash dyshimet dhe për akuzën e spiunazhit. Sot ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe ai i Brendshëm Bledi Çuçi, nënvizuan se ngjarja as nuk është mbivlerësuar por as nënvlerësuar nga ana tjetër.

“Pavarësisht se ky objekt ka qenë dhe është deklasifikuar, për nga rrethanat se si kanë tentuar të hyjnë, për nga pajisjet që kishin dhe për shkak të agresionit që kanë ushtruar, këta persona janë marrë nën hetim dhe procedim nga Prokuroria e Elbasanit”, deklaroi zoti Çuçi

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi nga ana e tij, kujtoi se prej shumë vitesh ish Uzina nuk kryente aktivitet të mirëfilltë ushtarak, ndërsa deri para një viti, aty janë kryer demontime të armatimeve të ndryshme, kryesisht të lehta. Por sipas tij një gjë e tillë nuk duhet të relativizojë ngjarjen. “Nuk na shqetëson se çfarë kanë fotografuar apo tentuar të fotografojnë në Gramsh. Por nga ana tjetër, mund të kenë patur edhe synim për shembull, për të devijuar vëmendjen nga një skenar tjetër. Jetojmë në një kohë të prishjes së ekuilibrave gjeolopilitik, dhe çdo ngjarje meriton ta shohim jo vetëm drejtpërsëdrejti por dhe në mënyrë të tërthortë”.

Të dy ministrat përsëritën se do të jetë hetimi që do të tregojë se për çfarë konkretisht bëhet fjalë.

Të tre të huajt kishin ditë që qëndronin në Shqipëri, ku kishin hyrë në kohë dhe nga rrugë kalimi të ndryshme. Pranë ish uzinës së Gramshit ata ishin parë dhe të paktën një ose dy ditë para ngjarjes. Udhëtimi me një makinë sportive, me ngjyra të ndezura bënte që lëvizjet e tyre të mos kalonin pa u vënë re. Para prokurorëve ata kanë këmbëngulur se ndodhen në Shqipëri për turizëm. Pasnesër do të jetë gjykata që do të konfirmojë ose jo, masën e arrestit ndaj tyre./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat